2009-02-16 16:15:55

Atë Federiko Lombardi komenton lajmin për vizitën e Papës në Izrael


(16.02.2009 RV)RealAudioMP3 Para disa ditësh Papa lajmëroi personalisht se po përgatitet për të shkuar në Tokën e Shenjtë. Është një lajm i bukur, shpjegon drejtori i përgjithshëm i Radio Vatikanit dhe i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi. Ta dëgjojmë:

Të shkosh në Jeruzalem: është dëshira e të gjithë izraelitëve dhe e gjithë të krishterëve. Izraelitët e lashtë ngjiteshin drejt saj duke kënduar, Jezusi drejtohet me vendosmëri për të plotësuar deri në fund vullnetin e Atit. Do të thotë të shkosh si shtegtar në vendet më të shenjta, vende ku takimet e Zotit me njerëzit kanë lënë shenjë në historinë e shpëtimit tonë. Edhe Papa bart me vete këtë dëshirë. Megjithëse ka qenë edhe më parë, ndjen rëndësinë e një udhëtimi tjetër, si kreu i një bashkësie besimtarësh, që mund të shtegtojnë në bashkim shpirtëror me të e përmes tij të shkojnë në vendet ku zë rrënjë feja e tyre. Jo rastësisht, Papa Pali VI filloi pikërisht nga Toka e Shenjtë serinë e udhëtimeve ndërkombëtare të papëve, e Gjon Pali II e ndoqi duke dhënë shenja të paharrueshme pajtimi e shprese për paqen.
Tani e ka radhën Benedikti XVI. Ky i tij është një vendim i guximshëm.
Ekziston pasiguria e situatës politike, ndarjet e shumta të brendshme në fusha të ndryshme. Ekzistojnë tensione të vazhdueshme në një rajon të përshkuar nga konfliktet dhe të shënuar kohët e fundit nga një luftë, që e shkatërroi Rripin e Gazës dhe e plagosi rëndë popullin e vendit. Procesi i paqes has vështirësi në çdo hap, që mund ta zgjidhte çështjen përfundimisht. Hije dhe dyshime errësojnë vazhdimisht dialogun e filluar tashmë ndërmjet botës hebraike dhe Kishës katolike.
Por duhet shkuar. Madje, pikërisht për shkak të këtyre motiveve është urgjente të shkohet në Tokën e Shenjtë. Për t’u lutur në pikat më të rëndësishme të duelit të urrejtjes me dashurinë: atje ku pajtimi duket se është jashtë forcave njerëzore. Për të kujtuar se emri dhe vokacioni i Jeruzalemit është të jetë “qytet i paqes”, qytet takimi ndërmjet popujve në emër të Zotit të shpëtimit, të paqes e të dashurisë për të gjithë.







All the contents on this site are copyrighted ©.