Më 15 shkurt kalendari Kishtar përkujton Shën Sigfridin e Vaksjos, ipeshkëv
(15.2.2009 RV)Më 15 shkurt kalendari Kishtar ndër shumë shenjtorë që përmendem
më parë, përkujton edhe Shën Sigfridin e Vaksjos, ipeshkëv, mbi figurën e të cilin
do të flasim pak më gjërë.
Shën Sigfridi lindi në Angli në shekullin X, ndërsa
vdiq në Vaksjo të Suedisë, në vitin 1030. Ipeshkvi misionar, me origjinë nga Anglia,
u largua nga vendlindja në vitin 995 për t’u vendos më parë në Norvegji e pastaj
në Suedi. Bën pjesë në aradhet e misionarëve të krishterë të cilët nga Anglia, tepër
katolike në atë epokë, u nisën për të ungjillëzuar popujt e Evropës veriore.
Si
u largua nga vendi i vet, Sigfridi ipeshkëv nisi të predikonte Ungjillin në Suedi
në kohën e mbretit Olav (vdekur më 1024). Sipas një gojëdhëne, që më vonë edhe u shkrua,
ipeshkvi anglez arriti në Vërend përmes Danimarkës, ku predikoi fenë e krishterë e
ndërtoi edhe Kishën e parë katolike.
U largua nga Vërendi së bashku me tre
shokë tjerë misionarë e shkoi për të pagëzuar mbretin Olav Këtkonung. Sipas gojëdhënave
që flasin për mbretërit suedezë, Olavi u pagëzua në gurrën e Husabi-t. Kur u kthye
përsëri në Vërend, Sigfridi nuk i gjeti më tre shokët e tij misionarë. Mësoi se të
treve ua kishin prerë kokat.
Nga historia e ipeshkvijve suedezë mësojmë edhe
këte se Shën Sigfridi ishte ipeshkvi i parë i Skarës e se nuk e ndërpreu apostullimin
e tij ungjillëzues në Vaksjo të Suedisë, ku edhe vdiq në vitin 1030. Më pas u vendos
që festa e Shën Sigfridit, kulti i të cilit deri në kohën e protestantizmit ishte
tepër i përhapur ndër suedezë, të kremtohet më 15 shkurt. Kujtimi i tij vijon të ruhet
deri në ditët tona në toponomastikë. Pranë Husabi-t janë dy burime, njëri nga të cilët
quhet burimi i ‘Shën Sigfridit’, ndërsa në kishën vendase suedeze nderohet akoma
një shtatore që e paraqet Sigfridin me veshje ipeshkvnore e me një enë me tri kokat
e shokëve të tij misionarë, në dorë. Shtatoret e tjera të Shën Sigfridit, që nderohen
në kisha të ndryshme suedeze, janë realizuar në Mesjetën e vonë. Reliket e tij gjenden
në Kopenhagën e në Roskilde.