Kalendari kishtar më 13 shkurt përkujton shenjtoret Foska e Maura, martire.
(13.02.2009 RV)Nga historia e martirizimit të këtyre dy shenjtoreve, mësojmë
se Foska, e lindur në një familje pagane në Ravenë të italisë, kur mbushi 15 vjeç
ndjeu thirrjen e Zotit për t’u kthyer në fenë e krishterë. Bisedoi për këtë me mëndeshën
e saj, Maurën dhe shkuan së bashku tek prifti Ermolao, që e përgatiti vajzën dhe e
pagëzoi. I jati, Siroi, u mundua më kot ta rikthente në fenë e të parëve. Foska u
padit menjëherë tek prefekti Kuinziani, por ushtarët që shkuan ta kapnin, nuk ia dolën
manesh, sepse mbrohej nga një engjëll. Atëherë Foska dhe Maura u paraqiten vullnetarisht
para Kuincianit, që urdhëroi t’i nxirrnin para gjyqit, t’i torturonin mizorisht e
pastaj, më 13 shkurt, t’ua prisnin kokat. Kokat e prera, të flakura në det, u rrëmbyen
nga detarët dhe u mbartën në Tripolitani, ku u varrosën në shpellat pranë Sabrathës
(Sakratha e sotme). Shumë vjet më vonë, pasi zona u pushtua nga arabët, një i krishterë
me emrin Vitale, i shtyrë nga frymëzimi hyjnor, i solli përsëri reliket e shenjtoreve
Foska e Maura në Itali, në ishullin Torçelo të lagunës venete, ku për nder të dy martireve
u ndërtua një kishë. Në historinë e martirizimit të tyre nuk ka të dhëna kronologjike,
por hagjiografët e mëvonshëm, mendimi i të cilëve pasqyrohet edhe nga Martiriologu
Romak, shkruajnë se shenjtoret u martirizuan gjatë persekutimit decian, duke hamendësuar
se prefekti Kuinciani është konsulli i provincës së Sicilisë, nga i cili u martirizua
edhe Shën Agia. Fakti se reliket erdhën në Torçelo nga Afrika konfirmohet edhe nga
dy emrat, Foska e Maura, emra vajzash afrikane.