Papa kujton kardinalin Stepinac, martir të komunizmit
(12.02.2009 RV)“Pas rënies së komunizmit Kisha përballon sfida të reja, por
urdhëri i Krishtit mbetet po ai: Shkoni në të gjithë botën dhe predikoni Ungjillin
për çdo krijesë”. Kështu i shkruan Benedikti XVI kardinalit Josip Bozaniç, kryeipeshkëv
i Zagrebit dhe nënkryetar i Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës. Rasti
është Takimi III i kardinajve dhe i kryetarëve të Konferencave ipeshkvnore të vendeve
të Evropës Juglindore me temë “Misioni i Kishës në Evropën Qendro-Lindore njëzet vjet
pas rënies së sistemit komunist (1989-2009)”. Prelatët u mblodhën në kryeqytetin e
Kroacisë edhe për të kujtuar 10-vjetorin e lumnimit të kardinalit Alojzije Stepìnac,
martir i regjimit komunist, në ditën e festës së tij liturgjike, më 10 shkurt. Në
letër, Papa e kujton kardinalin martir dhe i inkurajon ipeshkvijtë e Evropës Lindore
ta shikojnë me shpresë misionin e Kishës në Evropë e në botë, duke u frymëzuar nga
shembuj si ai i të Lumit Stepinac. Në konferencë, kardinali Bozaniç nënvizoi
se komunizmi ka lënë plagë të thella në jetën e njerëzve dhe të shoqërive, nga ku
vjen kërkesa për ndihmë drejtuar Zotit dhe Kishës. Pavarësisht nga rënia e komunizmit,
struktura e tij, vë në dukje kryeipeshkvi i Zagrebit, është e pranishme në legjislacion
e në pushtetin gjyqësor, në ekonomi e në kulturë, e sidomos në velin e heshtjes, që
është hedhur mbi ngjarjet e së kaluarës së afërt. “Si mund ta shpjegojmë ndryshe –
tha prelati – se njëzet vjet pas këtyre ngjarjeve, e vërteta nuk arrin të lëshojë
rrënjë në tokat që mburren për lirinë e dashurinë për të vërtetën?” Për shembull,
në Kroaci nuk flitet për kardinalin Stepìnac. Thjesht, shmanget argumenti. Është e
vërtetë se sistemi komunist u shkatërrua, shpjegoi Bozaniç, por copat që mbeten janë
mjaft rezistente dhe shfaqen përmes promovimit të fallsiteteve të të së kaluarës,
jo vetëm në politikë e në vetë marrëdhëniet me të kaluarën, por edhe në edukim, shkencë
e arësim”. Është momenti i ungjillëzimit të ri për të rizbuluar rrënjët e krishtera
e për t’iu përgjigjur një vizioni, që e redukton rolin e njeriut, për t’iu përgjigjur
asaj që kardinali Bozaniç e quajti “diktatura e relativizmit”. Në konferencë, prelatët
diskutuan pikërisht për këtë sfidë dhe për të tjera si globalizimi, bioetika, neuroshkencat,
emigracioni, arritja në një rend të ri botëror, mbrojtja e lirisë së ndërgjegjes,
kujdesi për jetën e familjen.