Duke shfletuar kalendarin historik përkujtojmë Papa Kristo Negovanin – Harallambi,
martir i gjuhës e i kishës ortodokse shqiptare.
(12.02.2009 RV)Sot kalendari përkujton 104-vjetorin e vrasjes së meshtarit,
shkrimtarit e patriotit shqiptar Papa Kristo Negovani. Lindur në fshatin Negovan,
në Follorinë të Greqisë Papa Kristua qe një ndër klerikët veprimtarë më të shquar
të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Mësimet fillore i kreu në shkollën greke të fshatit.
Studimet e mëtejshme i vijoi në gjimnazin e Athinës, por pas tre vjetësh u shtrëngua
t’i ndërpresë sepse ndërkaq kusarët i kishin vrarë të atin. Në 1894 emigroi në Braila
të Rumanisë ku punoi tre vjet si marangoz. Gjatë kësaj kohe Papa Kristua zuri miqësi
dhe u familjarizua me veprimtarë të Shoqërisë së Stambollit, Drita të Bukureshtit
e të tjerë të cilët e frymëzuar që t’i dilte zot gjuhës shqipe e cila rrezikonte të
zhdukej si pasojë e shovinizmit të fqinjëve. Prej tyre atdhetarëve shqiptar në Rumani
mësoi edhe të shkruajë shqip me alfabetin e Stambollit. Fillimisht mësues i katundit
të Negovanit, Papa Kristua u shugurua meshtar ortodoks. Qe një ndër frymëzuesit e
Kishës ortodokse autoqefale shqiptare, e cila do të bëhej realitet vetëm me Fan Nolin.
Kisha dhe shtëpia e tij u bënë çerdhe të shqiptarizmës. I nxiste të gjithë besimtarët,
papushim që të mbronin gjuhën dhe zakonet shqiptare. Natën e 12 shkurtit të vitit
1905 një grup të panjohurish e morën me zor nga kisha ndërsa shpërndante naforën.
E çuan në periferi të fshatit dhe e masakruan me thika dhe sopata duke thënë: “Shko
tani të bësh propagandë për Shqipërinë dhe të thuash ungjillin shqip”. Bashkë me të
vranë edhe të vëllanë, Theodosin, edhe ky patriot. Vrasjen e tij e vajtuan të gjithë
shqiptarët si brenda ashtu edhe jashtë atdheut, ndër të cilët, Zef Skiroi, i kushtoi
madje edhe një vjershë. Si përgjigje ndaj vrasjes së Papa Kristos, më 9 shtator 1906
çeta e Bajo Topullit vrau dhespot Fotin, mitropolitin e Korçës, i cili akuzohej se
kishte qenë porositësi kryesor i vrasjes së vëllezërve Negovani. Ndër veprat letrare
të këtij martiri të gjuhës e të kishës ortodokse autoqefale shqiptare vlen të përmenden:
“Istori e dhjatës vjetërë”, botuar në Bukuresht në 1899; “Bënjatë e shënjtorëvet dërgimtarë”
që sot do të tingëllonte si “Bëmat e Apostujve”, në Sofje më 1903 etj. Ka shkruar
e përkthyer në shqip edhe përralla e shumë vjersha me karakter didaktik për fëmijë.