2009-02-12 16:31:21

Benedikti XVI hebrenjve amerikanë: i prerë refuzimi i antisemitizmit. Po përgatis vizitën time në Izrael.


(12.02.2009 RV)RealAudioMP3 E papranueshme dhe e patolerueshme të harrohet ose të minimizohet krimi i tmerrshëm i shfarosjes së hebrenjve gjatë Luftës II Botërore. Kështu i tha sot paradite Benedikti XVI delegacionit të Konferencës së kryetarëve të organizatave kryesore hebraike amerikane, të cilin e priti në Vatikan. Papa ripohoi me forcë se Kisha refuzon prerë çdo formë antisemitizmi dhe lajmëroi se po përgatit vizitën e tij në Izrael:
The Church is profoundly and irrevocably committed to reject all anti Semitism…
“Kisha është thellësisht dhe prerazi e impenjuar që të refuzojë çdo formë antisemitizmi dhe të vazhdojë të çimentojë marrëdhënie të mira e të qëndrueshme” ndërmjet katolikëve dhe hebrenjve. Papa përsëriti se urrejtja kundër burrave, grave e fëmijëve, që u tregua gjatë tragjedisë së Holokaustit, ishte krim kundër Zotit e kundër njerëzimit:
This should be clear to everyone…
“Kjo – paralajmëroi Ati i Shenjtë – duhet të jetë e qartë për këdo”, sidomos për ata që ndjekin traditën e Shkrimit të Shenjtë, sipas të cilit çdo njeri është krijuar në shembëlltyrë e përngjasim me Zotin. Çdo mohim apo përpjekje për t’i zvogëluar përmasat e këtij krimi është e patolerueshme dhe e papranueshme, theksoi Papa:
This terrible chapter in our history must never be forgotten…
“Ky kapitull i tmerrshëm i historisë sonë – tha akoma – nuk duhet harruar kurrë”. Kujtimi i këtyre ngjarjeve duhet të jetë paralajmërim për të ardhmen dhe duhet të na shtyjë drejt përpjekjeve për pajtim, duke bërë ç’është e mundur që katastrofa të tilla të mos përsëriten më. Papa siguroi se do të lutet që kujtimi i këtij krimi të frikshëm të forcojë vendosmërinë për të shëruar plagët e hapura prej shumë kohe në marrëdhëniet ndërmjet katolikëve e hebrenjve. Benedikti XVI përmendi më pas vizitën e tij në Sinagogën e Nju Jorkut, më 2008, në Këln, më 2005, e sidomos vizitën prekëse në kampin e shfarosjes të Aushvic-Birkenaut:
As I walked through the entrance to that place of horror…
“Në çastin kur kapërceva hyrjen e atij vendi të tmerrshëm – kujtoi – meditova mbi numrin pa fund të të burgosurve” që kanë hedhur hapa në Aushvic e në kampe të tjera përqëndrimi. Bijtë e Abrahamit, vazhdoi Papa Racinger, duke iu referuar hebrenjve, nuk kishin mbështetje tjetër, veçse fenë e etërve të tyre në Zot, fe që ne të krishterët e bashkëndajmë me ta. Njerëzimi mbarë, pohoi Ati i Shenjtë, turpërohet thellësisht për brutalitetin e skajshëm, që u tregua ndaj popullit hebre. E këtu, Papa lajmëroi se po përgatit vizitën në Izrael:
A land which is holy for Christians as well as Jews…
“Një tokë e shenjtë për të krishterët e për hebrenjtë, sepse rrënjët e fesë sonë janë aty”. Benedikti XVI shpjegoi se identiteti i krishterë është ngushtësisht i lidhur me atë hebraik, megjithëse marrëdhëniet ndërmjet dy feve monoteiste nuk kanë qenë gjithnjë të shkëlqyera. Por, nuk duhet t’i lemë vështirësitë e së kaluarës të pengojnë forcimin e miqësisë mes nesh, pohoi Papa, i cili kujtoi më pas Deklaratën konciliare “Nostra Aetate”, që përvijon mirë qëndrimin e Kishës ndaj marrëdhënieve katolikë-hebrenj. Benedikti XVI nuk mungoi të kujtojë vizitën e Gjon Palit II në Murin e Lotëve në Jeruzalem, duke i bërë të tijat fjalët e lutjes, që la aty Papa Vojtila: O Zot i etërve tanë, “duke të kërkuar falje, duam të impenjohemi për vëllazërimin e vërtetë me popullin e aleancës”.
Nga ana e tij, rabini Artur Shnajer, në krye të delegacionit e falenderoi Papën, i cili, sipas rabinit, e kuptoi dhimbjen dhe ankthin e hebrenjve pas deklaratave negacioniste të ipeshkvit lëfevrian Uiljamson, duke shprehur solidaritetin e padiskutueshëm për popullin hebre. Të njëjtin qëndrim mbajti edhe kryetari i organizatave hebraike amerikane, Alan Solou, i cili theksoi se izraelitët presin me padurim vizitën e Papës në Tokën Shenjte, “me domethënie të jashtëzakonshme për të dyja fetë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.