2009-02-11 18:29:07

Tetëdhjetë vjet më parë lindi Qytet-Shteti i Vatikanit


(11.02.2009 RV)RealAudioMP3 Përvjetor i rëndësishëm sot, për Kishën Universale: Qytet-Shteti i Vatikanit mbushi 80 vjet. Ishte pikërisht 11 shkurt 1929, data në të cilën u sanksionua njohja e ndërsjelltë e Mbretërisë së Italisë dhe Shtetit të Vatikanit, data e nënshkrimit të Pakteve Lateranense, që e morën emrin nga Pallati i Lateranit në Romë ku u vendos firma. Iu dha fund kështu periudhës së gjatë të tensionit, që lindi të nesërmen e bashkimit të Italisë.
Paktet përbëhen nga dy dokumente: Traktati që njeh pavarësinë dhe sovranitetin e Selisë së Shenjtë, duke themeluar kështu Qytet-Shtetin e Vatikanit; dhe Konkordati që përcakton marrëdhëniet civile e fetare ndërmjet Kishës e shtetit në Itali. Në vitin 1947, Paktet u bënë pjesë e Kushtetutës së Republikës Italiane të sapolindur, e më pas, në vitin 1984, u rishikuan, duke ripohuar pavarësinë e sovranitetin e ndërsjelltë, lirinë në zgjedhjen e mësimit të fesë katolike e mbrojtjen e pasurive kishtare. Në të njëjtin vit 1984, UNESCO shtoi Qytetin e Vatikanit në listën e Pasurive botërore të njerëzimit.
Të shumta kremtimet për të kujtuar 80 vjetorin e themelimit. Pasdite në Vatikan u përurua një Ekspozitë për këtë qëllim, ndërsa nesër pasdite, Papa do të marrë pjesë në një koncert në Sallën Pali VI. Po nesër, Sekretari i Shtetit, kardinali Tarçizio Bertone do të përurojë pikërisht në Pallatin e Lateranit, një konferencë studimi, organizuar nga Guvernatorati i Vatikanit, me titull “Një territor i vogël për një mision të madh”. Për t’u shënuar edhe seria e veçantë e pullave vatikanase, me imazhet e Papëve që nga viti 1929 deri më sot.
Ia japim tani fjalën kardinalit Xhovani Lajolo, kryetar i Komisionit Papnor për Qytet-Shtetin e Vatikanit, mbi mandatin e veçantë të Selisë së Shenjtë në botën e sotme:
Krejt kuptimi i Qytet-Shtetit sovran të Vatikanit qëndron në mbrojtjen e Papës nga çdo lloj ndërhyrje politike në udhëheqjen e Kishës e në magjisterin e tij ungjillor, i cili i drejtohet jo vetëm Kishës, por gjithë njerëzimit. Vikari i Krishtit duhet të jetë i pavarur dhe i lirë, nuk duhet t’i përgjigjet asnjë autoriteti tokësor, por vetëm Zotit. Historia, sidomos ajo e Evropës, ka treguar shumë herë gjatë shekujve, e madje edhe në shekullin e kaluar, prirjen e disa regjimeve e qeverive për ta vënë në pranga zërin e Papës. Edhe sot, jo pak politikanë do të dëshironin që Papa të mos fliste mbi temat morale, të papëlqyeshme për ta.
Ju keni qenë për disa vjet sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet. Cilat janë sfidat më të vështira në përfaqësimin e shtetin më të vogël të botës në instancat ndërkombëtare?
Sfidat e mëdha gjithnjë kanë të bëjnë me Kishën, para së gjithash, liria e Kishës lokale – pra e ipeshkvijve dhe e besimtarëve – në marrëdhëniet me Papën, Vikarin e Krishtit e pasardhësin e Shën Pjetrit Apostull. Por jo vetëm kaq. Veprimtaria ndërkombëtare e Selisë së Shenjtë përballon çështjet e mëdha të të drejtave të njeriut, duke filluar nga e drejta për jetën dhe ushqimin, e drejta për lirinë e vërtetë të fesë… Kjo është e para ndër të drejtat e lirisë, sepse ka të bëjë me marrëdhënien më të rëndësishme të njeriut: atë me Zotin. Sfida të tjera të mëdha janë e drejta për zhvillimin ekonomik të vendeve më të varfëra e më të dobta, por edhe të të varfërve e të mënjanuarve. Një sfidë e rëndësishme është ajo e emigracionit, i cili është i pranishëm sot jo vetëm në botën perëndimore, por edhe në atë arabe e gjetiu. Të gjitha këto sfida janë vetëm pjesë të sfidës së madhe, të impenjimit të madh të Kishës për paqen.







All the contents on this site are copyrighted ©.