2009-02-11 18:31:39

Kthimi në rrugën e Zotit dhe feja, kushte për shërimin e korpit e të shpirtit: kështu Papa në Meshën me të sëmurët në Vatikan


(11.02.2009 RV)RealAudioMP3 Rruga e kthimit në Zotin dhe e fesë është kushti për të shëruar korpin e shpirtin: kështu foli sot pasdite Papa Benedikti XVI në përshëndetjen drejtuar të sëmurëve, që morën pjesë në Meshën kushtuar atyre, në Sallën e Palit VI në Vatikan. Mesha, kryesuar nga kryetari i Këshillit Papnor për veprimtarët e shendetësisë, kardinali Havier Lozano Barragan, u kremtua në Ditën Botërore të të sëmurëve dhe në festën e Zojës Lurdë, të cilën Ati i Shenjtë e kujtoi që në fillim:
“Mendimi im shkon në atë Shenjtërore, ku, me rastin e 150-vjetorit të dukjeve të Zojës shën Bernardetës, shkova edhe unë; nga ai shtegtim ruaj kujtime të gjalla, që fokalizohen në veçanti në kontaktin që pata me të sëmurët e mbledhur para Shpellës së Masabielës”.
Papa përmendi mesazhin për këtë ditë, të përqëndruar mbi fëmijët e sëmurë e mbi viktimat e abuzimeve e të dhunës. Mbetesh pa fjalë, tha Ati i Shenjtë, para një të rrituri që vuan, e jo më kur e keqja godet një vogëlush të pafajshëm. Si ta kuptojmë, pyeti Papa Racinger, edhe në situata kaq të vështira dashurinë e mëshirshme të Zotit, që nuk i braktis kurrë bijtë e tij në sprovë? Na vjen në ndihmë drita e fesë:
“Fjala e Zotit na zbulon se edhe këto sëmundje janë misteriozisht “të përqafuara” nga plani hyjnor i shpëtimit; feja na ndihmon ta konsiderojmë jetën njerëzore të bukur e të denjë për t’u jetuar plotësisht, edhe kur dobësohet nga sëmundja”.
Jeta e njeriut, vazhdoi Papa, nuk është diçka që mund ta përdorim si të na teket, por është një peshtaf i çmuar për t’u ruajtur me kujdes, nga fillimi deri në përfundimin e saj të natyrshëm. Jeta është një mister, që në vetvete kërkon përgjegjësi, dashuri, durim, bamirësi nga ana e të gjithëve. Edhe më tepër është e nevojshme të rrethohen me kujdes e respekt të sëmurët:
“Kjo nuk është gjithmonë e lehtë, por dimë se ku ta marrim guximin e durimin për t'i përballuar ngjarjet e ekzistencës tokësore, në veçanti sëmundjet e çdo lloj vuajtje. Për ne të krishterët, në Krishtin gjendet përgjigjia e enigmës së dhimbjes e të vdekjes”.
Duke kujtuar sërish Zojën e Lurdës, Papa ia besoi pikërisht asaj vuajtjet e të sëmurëve dhe u lut që Virgjëra e Shenjtë t’i ndihmojë të mbajnë kryqin, sidomos t’u qëndrojë afër fëmijëve të sëmurë. Për vuajtjet e tyre, jo vetëm fizike, para Meshës i morëm një mendim kardinalit Havier Lozano Barragan:
“Fëmijët janë më të dobtit e njerëzimit e na bën përshtypje braktisja e tyre, sidomos e shumë fëmijëve, që janë të sëmurë fizikisht e shpirtërisht. Na vjen keq edhe për dramën e atyre fëmijëve, që vuajnë shumë për ndarjen e prindërve. Kjo ndodh në Itali, në SHBA, në Meksikë e kudo. Ekziston pastaj fenomeni i fëmijëve ushtarë, i fëmijëve të masakruar në luftë, si në Irak, në Afganistan e në vende të tjera. Ka fëmijë, që shfrytëzohen për tregtinë e seksit dhe për punë. Ka fëmijë ne varfëri të plotë. I lutemi Zotit që të kujdeset veçanërisht për ta”.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.