2009-02-10 17:44:53

Viktimat e sistemit komunist perkujtohen nga Kisha katolike 20 vjet pas rënies së këtij regjimi


(10.2.2009 RV)Kryetarët e Konferencave Ipeshkvnore Katolike të Evropës qendrore e lindore përkujtuan sot në Zagreb viktimat e sistemit komunist, 20 vjet pas rënies së këtij regjimi. Takimi i tretë i Kryetarëve e Kardinajve të Konferencave Ipeshkvnore të Vendeve të Evropës qendrore e lindore pas takimeve që u mbajt në Budapest në 2004 e në Pragë në vitin 2007, sivjet në Zagreb pati për temë: “Misionin e Kishës në Evropën Qendrore-Lindore njëzetë vjet pas rënies së sistemit komunist (1989-2009). Në takim mori pjesë edhe Kryetari i Konferencës Ipeshkvnore Katolike të Shqipërisë imzot Rrok Mirdita, i cili foli mbi Kishën katolike në Shqipëri nga periudha e rënies së komunizmit e deri më sot, por duke kujtuar në mënyrë të veçantë persekutimin e egër të regjimit të Enver Hoxhës kundër Kishës katolike dhe dëshminë e jashtëzakonshme ungjillore që dhanë ipeshkvijë, meshtarë, rregulltarë e besimtarë laikë që flijuan jetën me martirizim për fenë në Krishtin, për lirinë e Kishës e të popullit dhe e për dashurinë ndaj atdheut. Takimi u mbajt pikërisht në ditën e festës të të Lumit kardinalit martir, Alojzije Stepinac, kryeipeshkëv i Zagrebit, për të përkujtuar së bashku më të, të gjitha viktimat e regjimit komunist që ka mbjell vdekje e shkatërrim në Shqipëri e në Vendet tjera të Evropës qendrore e lindore. Takimi është një rast i volitshëm për një hov të ri e të guximshëm ungjillëzimi përmes të cilit në këto Vende duhet rizbuluar përherë më tepër rrënjët e krishtera e rivendosur një qytetërim vërtet më njerëzor.







All the contents on this site are copyrighted ©.