2009-02-10 16:57:25

Kardinal Bertone ambasadorëve të Bashkimit Evropian: ndihmojeni Afrikën e Tokën e Shenjtë dhe miratoni politika, që ndihmojnë familjet.


(10.02.2009 RV)Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinal Tarçizio Bertone takoi sot në Romë, ambasadorët e Bashkimit Evropian. U kërkoi të marrin pjesë më shumë në plotësimin e kërkesave të kontinenteve të tjera e t’i kushtojnë sidomos vëmendje të veçantë Afrikës dhe Tokës Shenjte. Gjithashtu, u kujtoi se për të pasur shoqëri të qëndrueshme duhen familje të shëndosha. Prandaj, i inkurajoi ta venë në diskutim kulturën e konsumizmit e të hedonizmit e të mbështesin jetën dhe familjen.
Bertone vuri në dukje se shpesh, kontaktet me vendet afrikane merren vetëm për qëllime shfrytëzimi. Bashkimi Evropian duhet të jetë më aktiv në zgjidhjen e konflikteve në kontinentin e zi, në luftën kundër padrejtësive që i kanë shkaktuar dhe në ndihmën për refugjatët. Shqetësimi i Kishës Katolike për Afrikën, shpjegoi prelati, e ka burimin në frymën e Ungjillit, prandaj ajo punon pa u lodhur për t’i bërë afrikanët, gjithnjë e më tepër, protagonistë të fatit të tyre, të zhvillimit të tyre kulturor, civil, shoqëror e ekonomik. Disa, rrugët për të ndihmuar Afrikën, që nga respektimi i impenjimeve tregtare, tek shlyerja e borxheve të jashtme, tek ndihma për bujqësinë e për mjekësinë, tek lufta kundër tregtisë së armëve, trafikut të paligjshëm të lëndëve të para, pastrimit të parave, korrupsionit.
Sekretari i Shtetit të Vatikanit vuri përpara ambasadorëve të Bashkimit Evropian edhe gjendjen në Tokën Shenjte, duke theksuar se Brukseli nuk mund të qëndrojë duarlidhur. Por, për të kuptuar më mirë problematikën e zonës, sqaroi kardinal Bertone, duhen respektuar aspiratat e të gjitha popullsive, të përfshira në konfliktin e Lindjes së Mesme. Ndërkaq, në Rripin e Gazës duhen garantuar ndihmat humanitare dhe duhen detyruar palët të mos ndjekin llogjikën e dhunës, por atë të dialogut e të paqes.
Përsa i përket Evropës, kardinali kërkoi që të dëgjohen më shumë vendet ish-komuniste e të përdoret përvoja e tyre për të përballuar sfidat e përbashkëta. Së fundi, Bertone rekomandoi një kujdes më të madh për familjen, përmes zbatimit të politikave që mbrojnë të drejtat e saj, jetën e edukimin e mirë të fëmijëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.