Kalendari kishtar më 10 shkurt përkujton Shën Skolastiken, virgjër.
(10.2.1009 RV)Kalendari kishtar më 10 shkurt përkujton Shën Skolastiken,
virgjër, motra e Shën Benediktit dhe të lumin Alojzije Stepinca, ipeshkëv e martir.
Liturgjia e sotme na kujtojnë se Krishti është gjithnjë i mëshirshëm e kujdeset që
njeriut të mos i mungojë buka e përditshme, por mbi të gjitha kujdeset të shuajë urinë
e tij shpirtërore, urinë për jetën e vërtetë. E tani po ndalemi te figura e
Shën Skolastikes, motrës së Shën Benediktit. Skolastika, si vëllai, ashtu edhe motra. Skolastika shpejton hapin e nuk
ndalohet për të soditur kodrinat mahnitëse të Italisë qendrore. Do të takohet me vëllain
binjak, Benediktin, takim që po e pret që prej treqind e gjashtëdhjetë ditësh. Në
të vërtetë, Benedikti e Skolastika, ndonëse i kanë themeluar kuvendet pak kilometra
larg njëri-tjetrit, takohen vetëm një herë në vit. Benedikti zbret nga Mali i Kasinos,
e motra del nga kuvendi i ndërtuar në luginë e takohen në një shtëpizë në gjysmë të
rrugës. Ia lejojnë vetes një takim të tillë që të çmallen e të bisedojnë për gjithçka
i lidhë e, sidomos, për Zotin, që është zemra e jetës së tyre. Benedikti e Skolastika
janë binjakë në gjak e në shpirt. Që të vegjël kishin të njëjtat prirje, të njëjtën
ëmbëlsi, të njëjtin durim e të njëjtën dëshirë për t’iu afruar Zotit. Kur Benedikti
shkroi Rregullën e vet të njohur murgare, Skolastika e përshtati menjëherë për kuvendin
ku jetonte me simotrat e veta, që ia kishin kushtuar gjithë jetën Hyjit. Skolastika
është rregulltarja e parë benediktine. “Dita do të fluturojë” - psherëtin motra,
duke shpejtuar hapin. Zemra i thotë se ky do të jetë takimi i tyre i fundit. Është
vetëm gjashtëdhjetë e tri vjeçe, por ndjen në trup frymën e acartë të vdekjes. Prandaj
dëshiron që kjo ditë, e larë me rreze dielli, e 7 shkurtit të vitit 543, të jetë dita
më e gjatë e të gjitha viteve. Dy binjakët takohen, merren ngrykë, zhyten në një
bisedë të këndshme, të pafund. Harrojnë se koha shket e shkon. Pas disa orëve, çuditen
kur shohin se dielli dalë-nga-dalë fshihet pas malit. Benedikti ngrihet e bëhet gati
për t’u nisur. Motra, e ngashëryer, i lutet: “Vëllai im, rri edhe pak… E sikur
të flasim gjithë natën?”. Benedikti tund kokën. Dëshiron të ndalet, po në kuvend
e presin. Skolastika trishtohet. Por – mrekulli – pikërisht në atë çast shpërthen
një rrebesh i tërbuar. Shiu i rrëmbyer e përmbyt menjëherë oborrin rreth shtëpizës
së vogël, ku vëlla e motër përgatiten të ndahen. Benediktit i duhet ta kalojë natën
aty. Në fund të fundit i duket si dhuratë, prandaj rinis bisedën, filli i së cilës
vijon të zhdridhet, pa u këputur për asnjë çast, tërë natën. Tri ditë pas këtij takimi
të paharrueshëm, vëllai merr lajmin e vdekjes të së motrës. Ishte takimi i tyre i
fundmë! Benedikti i falet nderës Zotit për stuhinë e papritur. Shumë artistë kanë
realizuar kompozime të mrekullueshme, që paraqesin lidhjen e ngushtë të vëllait me
motrën. Në shumicën e këtyre pikturave shihet Shën Benedikti, që shikon shpirtin e
Skolastikës duke fluturuar drejt qiellit në formën e pëllumbit!