2009-02-10 17:45:57

Italia përkujton të masakruarit nga jugosllavët në varrezat masive


(10.02.2009 RV)“Italia nuk mund të harrojë vuajtjet që shkuan deri në vdekjen e tmerrshme së cilës iu nënshtruan italianë që ishin krejtësisht të pafajshëm”. Me këto fjalë e përkujtoi presidenti italian Xhorxho Napolitano “Ditën e kujtimit të martirëve të fojbave dhe shpërnguljen e italianëve istrianë, julianë e dalmatë”. Kjo ditë lidhet me një nga krimet më të shëmtuara të komunizmit në përgjithësi e atij titist në veçanti, krime të kryera menjëherë pas Luftës së Dytë botërore, pra në kohë paqeje, nga partizanët e Titos. Fojbat janë disa humnera natyrale me origjinë karstike, tipike të zonës së Venecies, Julies e Istries. Në këto gropa partizanët e Titos hodhën pas pushkatimit trupat e civilëve italianëve që kundërshtonin aneksimin e kësaj zone italiane nga ana e Jugosllavisë. Kishte ndërmjet tyre gra, burra, pleq e fëmijë. Ishte preludi i spastrimeve etnike që do të karakterizonin krejt regjimin totalitar jugosllav, i cili do të përlyhej deri në fund të ekzistencës së vet me gjakun e civilëve të pafajshëm.
Nuk ishte më pak tragjik fati i italianëve që u dëbuan nga këto zona. Numri i tyre arriti në 350 mijë vetë, të cilët më pas kërkuan strehim në Itali.







All the contents on this site are copyrighted ©.