2009-02-09 17:02:40

E mira e njeriut dhe e mira e kombit, janë pikat konvergjente ndërmjet Kishës e Shtetit në Brazil. Kështu Benedikti XVI ambasadorit të ri të Brazilit në Vatikan.


E mira e njeriut dhe e mira e kombit, janë pikat konvergjente ndërmjet Kishës e Shtetit në Brazil. Kështu tha Benedikti XVI para ambasadorit të ri të Brazilit në Vatikan. “Dashamirësi të sinqertë e vlerësim të posaçëm për kombin fisnik” brazilian shprehu Papa sot me rastin e paraqitjes së Letrave kredenciale të ambasadorit të ri të Brazilit pranë Selisë së Shenjtë, Luis Felipe de Seixa Korrea, të cilin e porositi që Vendi i tij të impenjohet për paqen botërore dhe mbrojtjen e parimeve themelore, në mënyrë të veçantë atë të sakralitetit të jetës njerëzore. I martuar, me katër fëmijë, doktoruar në Drejtësi, de Seixas Korrea ka qenë ambasador i Brazilit në Meksikë, Spanjë, Argjentinë, Gjermani, si dhe përfaqësues në Gjenevë, e pranë institucioneve të ndryshme në OKB.
“Synimi i përbashkët, si ai i Kishës, me misionin e saj të natyrës fetare e shpirtërore, ashtu dhe ai i Shtetit, megjithëse i ndryshëm nga ai i Kishës, duhet të jetë: e mira e qenies njerëzore dhe e mira e përbashkët e Kombit”. Këtë pohoi Papa Benedikti XVI, duke përmendur edhe Marrëveshjen e kohëve të fundit ndërmjet Shtetit e Kishës, marrëveshje, e cila përcakton statusin juridik civil të Kishës katolike braziliane si “bashkëpunim të sinqertë” me qeverinë. Papa kujtoi se “Brazili është vend që ruan e kultivon në pjesën më të madhe të popullsisë fenë e krishterë. Ungjillëzimi i popullsisë braziliane është bërë prej më se pesë shekujsh”.
Në anën tjetër, Papa tha se shpreson që “në përkim me parimet që mbrojnë dinjitetin njerëzor, të cilat Brazili i ka mbrojtur gjithmonë, të vijohet në promovimin dhe përhapjen e vlerave themelore njerëzore”, duke njohur “në mënyrë të qartë sakralitetin e jetës familjare e mbrojtjen e foshnjave që nga zënia e deri në mbarimin natyror të jetës”. Lidhur me eksperimentimet biologjike, Papa Benedikti XVI porositi “mbrojtjen e një etike, që nuk e shpërfytyron e që mbron ekzistencën e embrionit dhe të drejtën e tij për të lindur”.
Më tej në audiencë me ambasadorin e ri të Brazilit pranë Vatikanit, Papa shprehu kënaqësinë e tij që në Brazil është kthyer “një atmosferë prosperiteti, faktor nxitës edhe për zhvillimin e zonave të afërta kufitare e të vendeve të ndryshme afrikane” si dhe për impenjimin e solidaritetin e qeverisë braziliane në luftën kundër varfërisë e prapambetjes teknologjike.
Së fundi, Papa tërhoqi vëmendjen para “rreziqeve të konsumizmit e hedonizmit si dhe të mungesës së parimeve të forta morale”, që e bëjnë të brishtë strukturën e shoqërisë e të familjes braziliane. Prandaj, është urgjent “formimi i qëndrueshëm moral në të gjitha nivelet, përfshirë këtu edhe fushën politike”, para kërcënimeve që burojnë prej ideologjive materialiste dominuese, e tundimeve të korrupsionit në menaxhimin e parave publike e private.







All the contents on this site are copyrighted ©.