2009-02-07 14:03:58

Paraqitet Mesazhi për Krezhmët 2009. Papa fton të rizbulohet agjërimi i vërtetë i krishterë, që të nxit t’ia hapësh zemrën të afërmit.


(08.02.2009 RV)Agjërimi i vërtetë ka për qëllim të na nxisë të mos jetojmë më vetëm për vetveten, por t’ia hapim zemrën Zotit e të afërmit: këtë pohon Benedikti XVI në Mesazhin për Krezhmët e këtij viti, përmes të cilit na fton ta rizbulojmë këtë praktikë të lashtë pendestare.
Mesazhi i Papës për Krezhmët 2009 u paraqit të martën e kaluar në sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë. Në konferencën e paraqitjes, drejtuar nga atë Federiko Lombardi, folën ndërmjet të tjerësh, kardinali Paul Jozef Kordes, kryetar i Këshillit Papnor ‘Cor Unum’ dhe zonja Jozetë Sheeran, drejtoreshë ekzekutive e Programit Ushqimor Botëror të Kombeve të Bashkuara.
Krezhmët i hapin të krishterit një udhë shpirtërore e praktike për t’ia dhuruar pa asnjë ngurrim vetveten Hyjit”. Këtë nënvizoi kardinali Kordes, i cili shtoi: në Mesazhin e tij, Benedikti XVI na kujton impenjimin për t’ia hapur zemrën e dorën atyre që kanë nevojë. Porosi – shpjegoi – që bëhet edhe më urgjente në këtë periudhë krize ekonomike globale:
“Nuk mund të dorëzohemi përballë mjerimit të njerëzve; përsa mundemi, duhet t’i ndihmojmë për të gjetur rrugëzgjidhjen”.
Në sa nis të ndjehet atmosfera e Krezhmëve, po kujtojmë mesazhet e viteve të kaluara të Benediktit XVI për kohën krezhmore:
Në mesazhin për Krezhmët 2007, në qendër të vëmendjes ishte drama e Kalvarit, misteri i dashurisë që kryhet mbi Golgotë, zbulesa e agape-s e eros-it të Hyjit, me të cilat Zoti e do njerëzimin. Papa i ftonte besimtarët të ndalohen, me Marinë e Gjonin, nxënësin e dashur, pranë Atij që flijohet në kryq për shpëtimin e mbarë njerëzimit. Ati i Shenjtë i nxiste të gjithë t’i sjellin sytë nga Krishti i kryqëzuar i cili, duke vdekur mbi Kalvar, na zbuloi plotësisht dashurinë e Hyjit. Ja si e nënvizonte Papa thellësinë e këtij vështrimi:
“Duke shikuar Krishtin, e ndjejmë se edhe ai na shikon ne. Ai, që ne vetë e shporuam me fajet tona, vijon të ndikojë mbi botën, pa u lodhur kurrë, një përrua dashurie përdëllyese”.
Kthesa në rrugën e Hyjit është përmasa themelore e Kohës së Krezhmëve. Papa e ripohoi këtë edhe në Mesazhin krezhmor 2008, në të cilin nënvizon se lëmosha ungjillore nuk është thjesht filantropi; nuk duhet të jetë as përpjekje tinzare për të kërkuar interesin personal dhe admirimin e të tjerëve, aq më pak mjet për të vënë në dukje vetveten. Lëmosha, ashtu si lutja e agjërimi, duhet ta ndihmojnë njeriun të pastrohet shpirtërisht:
“Agjërimi, për të cilin Kisha na fton në këtë kohë të fortë, nuk ka të bëjë me arsye fizike ose estetike. Lidhet ngusht me pastrimin shpirtëror të njeriut, me çhelmimin e tij nga mëkati e nga e keqja; e edukon njeriun të çlirohet nga skllavëria e vetvetes, e bën më të vëmendshëm në dëgjimin e zërit të Zotit e në shërbim të vëllezërve.
Për këtë arsye agjërimi dhe praktikat e tjera krezhmore, tradita e krishterë i konsideron si ‘armë’ shpirtërore për të luftuar të keqen, pasionet e mbrapshta e veset”. Të përgatitemi, prandaj, për këto dyzet ditë hiri të posaçëm, që po afrohenduke i shikuar si kohë eukaristike.







All the contents on this site are copyrighted ©.