Kisha katolike kujtoi sot shenjtorët Jeronim Emiliani dhe Gjyzepina Bakita.
(08.02.2009 RV)Fisnik venecian, që jetoi në shekullin XVI, Jeronim Emiliani
ëndërronte një karrierë që do t’i dhuronte lavdi. Nisi, prandaj jetën ushtarake, por
si u zu rob gjatë një beteje, e mbyllën në qelitë e nëndheshme të një kështjelle,
lidhur këmbë e kokë me zinxhirë. S’mund të bënte tjetër, veç të kujtonte jetën e tij
të shkurtër, të mendonte për kotësinë e pushtetit njerëzor, të sillte ndër mend t’
ëmën, që e kishte mësuar të lutej e t’ia besonte veten Zojës së Bekuar, Nënës së Krishtit
e Nënës shpirtërore të gjithë të krishterëve. E kështu, falë lutjes, nisi ta ndjejë
veten të lirë. Takimi personal me Zotin, përmes Virgjërës Mari, i la gjurmë të thella
në jetë. Kur rifitoi lirinë, jeta e tij mori një kthesë rrënjësore: ndërroi miqësitë,
nisi të lexojë çdo ditë Fjalën e Zotit, ndjeu thirrjen për impenjim misionar në shërbim
të të varfërve, të sëmurëve, të rinjve të brakstisur e grave të penduara. E kështu,
pas një periudhe të shkurtër noviciati si pendestar me Gjampietro Karafën, papën
e ardhshëm Pali IV, Jeronimi ia kushtoi gjithë jetën Zotit. Tërhoqi me shembullin
e vet shumë meshtarë e laikë të cilët, ashtu si ai, dëshironin t’i shërbenin Krishtit
ndër të varfërit. Lindën kështu “Shërbëtorët e të varfërve” e pastaj edhe “Urdhëri
i Klerikëve Rregulltarë të Somaskës”, ose Etërit Somaskë, që e morën emrin nga qyteti
lombard në Itali, ku bashkëpunëtorët e shenjtit shkonin për t’u lutur. Shën Emiliani
përsëriste gjithnjë fjalët: “Në se Zoti gjen në shpirtin tuaj fe të çiltër e shpresë,
do të bëjë me ju gjëra të mëdha, sepse ai i larton të përvujtët. Në se e ruani veten
në mes të tundimeve, Zoti do t’ju ngushëllojë në këtë botë; do t’ju japë përkohësisht
paqe e qetësi këtu poshtë e pastaj, përjetësisht, në botën tjetër”. Vdiq gjatë epidemisë
të një sëmundjeje ngjitëse më 8 shkurt 1537.
Gjyzepina Bakita lindi
në Sudan në vitin 1869. Iu desh të provonte ankthin e rrëmbimit e të skllavërisë.
Si u shit disa herë në tregjet e skllevërve në El Obeid e në Kartum, u blé, më në
fund, nga konsulli italian. Me të shkoi në Venedik, ku u njoh me motrat kanoziane.
Gjyzepina iu lut atyre ta ndihmonin për të njohur atë Zot, të cilin e kishte ndjerë
në zemër pa e ditur akoma se kush ishte. E u tregonte rregulltareve: “Duke parë diellin,
hënën e yjet, thosha me vete: “Kush do të jetë zotëria i këtyre sendeve? E ndjeja
një dëshirë të zjarrtë për ta parë, për ta njohur e për ta nderuar”. Jetoi pesëdhjetë
vjet me radhë duke shërbyer në shtëpinë e simotrave, të cilat e nderonin për ëmbëlsinë
e saj të përhershme, për mirësinë e saj e për dëshirën që të njihte Zotin. U la trashëgim
fjalët: “Të jeni të mira, duajeni Zotin, lutuni për ata që nuk e njohin! Sikur ta
dinin ç’hir i madh është ta njohësh Zotin!”. Në pleqëri kaloi një sëmundje të rëndë
e të dhimbshme. Dha shpirt më 8 shkurt të vitit 1947 rrethuar nga simotrat dhe nga
një turmë e madhe njerëzish, që u mblodh për t’i dhënë lamtumirën e fundit “Nënës
së shenjtë zeshkane” e për t’i kërkuar ndërmjetësim nga qielli.