2009-02-06 17:15:07

Në librari, varianti i ri zyrtar i Biblës i Konferencës ipeshkvnore italiane.


(06.02.2009 RV)RealAudioMP3 Është në librari “Bibla, Rruga, e Vërteta, Jeta”, nga Botimet e Shën Palit, teksti i Shkrimit Shenjt në variantin e ri zyrtar të Konferencës ipeshkvnore italiane. Vepra, përveç ndreqjeve të tekstit të mëparshëm të 1974-ës, përmban edhe një aparat shënimesh e shpjegimesh. Hyrja e Biblës së re është e kryeipeshkvit Xhanfranko Ravazi, kryetar i Këshillit Papnor të Kulturës, i cili është edhe drejtues i përgjithshëm i punës mbi Besëlidhjen e Vjetër. Ndërsa për pjesën e hyrjes dhe të shënimeve që kanë të bëjnë me Besëlidhjen e Re, u kujdes imzot Bruno Magjoni, pedagog në fakultetin teologjik të Milanos dhe në Universitetin katolik. Për ta njohur më hollësisht këtë botim të ri, intervistuam vetë imzot Ravazin:

Përgjigje: - Bibla është gjithnjë e njëjtë. Por ka nevojë për dy mjete ndihmëse themelore, që duhet ta shoqërojnë: nga njëra anë ka nevojë, posaçërisht, për përkthimin. Duket diçka krejt e rëndomtë, por nuk është ashtu. Përkthimi është bazal, duke pasur parasysh se jo të gjithë mund ta lexojnë origjinalin në tri gjuhët kryesore, që janë hebraishtja, greqishtja – posaçërisht për Besëlidhjen e Re, e pastaj, në pjesën më të paktë, gjuha aramajke; prandaj përkthimi duhet ribërë vazhdimisht, sepse gjuha ndryshon, e edhe pse nuk mund të zhvendoset materialisht një tekst nga një gjuhë në një tjetër; kjo duhet realizuar me kujdes të jashtëzakonshëm, duke e ruajtur sa përmbajtjen, aq edhe formën. Por, nga ana tjetër, duhet të kujtojmë se ekziston edhe një mjet ndihmës me vlerë themelore, që është tradita; kur flas për traditë, kam parasysh shpjegimin e tekstit. E shpjegim para së gjithash, do të thotë të shkosh në zanafillë, për ta kuptuar përmbajtjen themelore; e nga ana tjetër, nga zanafilla, të vish në ditët tona, për t’ia transmetuar këtë mesazh në mënyrë sa më të kuptueshme, njeriut të sotëm, por edhe për ta bërë llambë ndriçuese në dorë të besimtarit, që të mos marrë më thua në shtigjet e jetës. Prandaj përkthimi i Shkrimit Shenjt ka edhe një përmasë kishtare.

Pyetje: - A ka ndonjë përkthim të ri të fragmenteve më të njohura të Biblës, që meriton të kujtohet?

Përgjigje: - Në se marrim si pikë referimi tekstin aktual, përkthimin zyrtar të Konferencës ipeshkvnore italiane, që shfrytëzon nga pak të gjitha Biblat e përkthyera deri tani, mund të vërejmë se u patën parasysh sidomos dy përmasa, dy aspekte. Mbi të gjitha u bënë përpjekje që teksti të jetë stilistikisht sa më i rrjedhshëm; kur e në se ishte e nevojshme, u përdor një përkthim i bërë fjalë për fjalë; ndërsa në raste të tjera, më i lirë, për t’i vënë më mirë në dukje vlerat; u punua edhe për korrigjimin e disa pasaktësive që kishin botimet e mëparshme, edhe duke prekur aty këtu – me kontributet e ekzegjezës – disa pika të rëndësishme. Po jap vetëm një shembull, që është kujtuar tepër shpesh: ne e lemë Atynën, në liturgji, ashtu si ishte në formulën tradicionale, e, prej këndej, kemi akoma shprehjen që nganjëherë krijon sadopak vështirësi: “mos na lërë të biem në tundim”. Tani varianti i ri i KII ka, për shembull shprehjen ‘mos na lësho dore në tundim”, që në fund të fundit është kuptimi më i thellë i kësaj shprehjeje, ndonëse i marrë fjalë për fjalë, përkthimi ‘e mos na lejo të biem në tundim” është i saktë.

Pyetje: - Ky përkthim i ri i Biblës ka edhe një aparat shënimesh, shpjegimesh e komentesh të tekstit…

Përgjigje: - Bibla që na propozohet tani nga Botimet e Shën Palit ka një titull të bazuar mbi një frazë të mirënjohur të Ungjillit të Shën Gjonit, që e thotë Krishti: “Unë jam Rruga, e Vërteta, Jeta”, e ne punuam pikërisht në këto tri drejtime: rruga - janë shënimet e tipit teologjik-baritor, që tregojnë domethënien e thellë – ndoshta vetëm të një fragmenti, që mund të ndikojë mbi jetën e përditshme të besimtarit ose edhe mbi kulturën.
Termi i dytë ‘e Vërteta’ janë shënimet ekzegjetike, të cilat përpiqen të shpjegojnë kuptimin që kishte teksti në zanafillë, posaçërisht në rastin e disa pjesëve të vështira, duke pasur parasysh se zbulesa biblike është zbulesë historike – dmth e lidhur me një kulturë, me një kohë, me një gjuhë, me një hapësirë, me shprehje që shpesh janë edhe të datuara.
Elementi i tretë është ‘Jeta’: liturgjia paraqitet si jetë. Kemi, prandaj, shënime që na kujtojnë se disa tekste – shumë tekste biblike – lexohen edhe në liturgji, ku fitojnë një ngjyrim e një shije tjetër; për shembull, mendojmë për dijen e madhe hyjnore që kremtohet në Bibël – e që përfaqëson vetë Krishtin, Fjalën e Hyjit, dijen e mishëruar të Hyjit. Shpjegimet mund t’i quajmë figurativisht ‘rrethim i tekstit, në shumë këndvështrime.
  







All the contents on this site are copyrighted ©.