2009-02-05 18:36:23

Venezuelë: sulm i ri kundër nunciaturës në Karakas


(05.02.2009 RV)Sulm i ri kundër nunciaturës apostolike në Karakas të Venezuelës. Tri bomba lotsjellëse, fortësisht helmuese, u hodhën në oborrin e përfaqësisë diplomatike të Vatikanit, duke i shkaktuar probleme nuncit, imzot Xhaçinto Berloko dhe bashkëpunëtorëve të tij.
Është sulmi i shtatë gjatë dy viteve të fundit. Më 18 janar, një sulm i ngjashëm u mor përsipër nga grupi radikal filoqeveritar “La Piedresita”, i cili kërkonte që të kundërshtohej katolicizmi dhe mësimet e tij. Të njëjtat akte vandalizmi janë përdorur edhe kundër sinagogës “Principal de Maripérez”, më e rëndësishmja e Venezuelës. Edhe në atë rast, ipeshkvijtë katolikë ngritën zërin në mbrojtje të lirisë së fesë e të shpalljes së saj publikisht. I është kërkuar qeverisë të garantojë sigurinë e nunciaturës, sipas të gjitha ligjeve ndërkombëtare, por gjendja duket tepër e ngjashme me atë të Shqipërisë në vitin 1967, para mbylljes së kishave e xhamiave e para fillimit të persekutimit të klerit e të besimtarëve.
Që prej 18 muajsh, ndodhet në nunciaturën e Karakasit, drejtuesi studentor Nikson Moreno, i cili akuzohet nga qeveria e presidentit Hugo Çavez për rebelim dhe akte të tjera. Në emër të tij është lëshuar një urdhër arresti, por Moreno do të qëndrojë në selinë diplomatike të Vatikanit derisa një qeveri e huaj ta pranojë si refugjat politik.








All the contents on this site are copyrighted ©.