2009-02-05 17:10:22

Në vizitë “ad Limina” ipeshkvijtë e Nigerisë. Kryeipeshkvi i Abujës: forcohet dialogu me myslimanët


(05.02.2009 RV)RealAudioMP3 Rreth 150 milion banorë, shumë prej të cilëve myslimanë, ose besimtarë të feve tradicionale: ky është realiteti aktual i Nigerisë, vend që ka edhe numrin më të madh të ipeshkvijve në Afrikë e një Kishë në lulëzim. Që sot paradite, me fillimin e vizitës “ad Limina Apostolorum” të ipeshkvijve, gjendja e katolikëve nigerianë shqyrtohet nga Papa dhe Kuria Romake. Prelatët nigerianë do të qëndrojnë një muaj në Romë. Ndër të parët, që u pritën sot nga Benedikti XVI ishte kryeipeshkvi i Abujës, Xhon Olorunfemi Onajekan, i cili flet në mikrofonin tonë, mbi sfidat më të rëndësishme për Kishën në vend:
Sipas meje, një sfidë shumë pozitive është ajo që na vjen nga rritja e Kishës në Nigeri, të cilën po përpiqemi ta administrojmë ashtu si duhet. Numri i katolikëve vazhdon të rritet, ashtu si edhe thirrjet për meshtarë e rregulltarë. Ka dioqeza ku nuk mjaftojnë meshtarët, pikërisht sepse numri i katolikëve është i madh: nëse meshtari duhet të kremtojë meshën për 5 mijë vetë çdo të dielë, del problemi i kohës që i mbetet për kujdesin baritor në nivelin personal. Fatmirësisht, ka mënyra të tjera për t’u shërbyer njerëzve, përmes grupeve të laikëve, përgjegjësve të baritorisë e kështu me radhë. Një sfidë tjetër e ngjashme është numri i madh i djemve e vajzave që duan t’ia kushtojnë jetën shërbimit në Kishë, si meshtarë e rregulltarë. E kemi problem si të verfikojmë se thirrja e tyre është vërtet e ndjerë. Përveç kësaj, kur i pranojmë në seminar apo në shtëpitë e formimit, duhet t’i formojmë mirë, por kur seminari ka 400 – 500 nxënës, kjo bëhet një sfidë e madhe. Kemi pastaj, edhe sfidën që ka të bëjë me marrëdhëniet ndërmjet Kishës dhe shoqërisë nigeriane në përgjithësi, ndërmjet shtetit e Kishës. Shoqëria nigeriane është tepër e ndërlikuar, me mëse 250 grupe të ndryshme etnike. E së fundi, ekziston edhe çështja e pluralizmit fetar.
Cili është impenjimi i Kishës për nxitjen e dialogut dhe të bashkëjetesës paqësore?
Thuhet se në Nigeri kemi të krishterë e myslimanë, por nuk duhet harruar se të krishterët u përkasin grupeve të ndryshme e, edhe mes nesh, jo gjithnjë i shohim gjërat në të njëjtën mënyrë. Shpesh, konfliktet ndërmjet të krishterëve e myslimanëve shkaktohen nga grupet ekstremiste të të dyja palëve: si nga fanatikët myslimanë, ashtu edhe nga fanatikët e krishterë. Megjithatë, duhet thënë se Kisha Katolike është e shëndoshë: edhe myslimanët e pranojnë se, në sajë të faktit që Kisha merr direktiva të sakta për dialogun me ta, të cilat ndiqen me shumë kujdes, jemi në gjendje me të vërtetë të nxisim marrëdhënie të mira e respekt të ndërsjelltë.
Si bëhet konfrontimi me ta?
Në vendin tonë, kemi Këshillin ndërfetar nigerian, që përbëhet nga krerë të krishterë e islamikë. Unë, si kryetar i Shoqatës së krishterë të Nigerisë, jam përgjegjës për grupet e krishtera. Me sulltanin e Sokotos – i njohur si kreu i myslimanëve – kemi mbledhje të rregullta, gjatë të cilave përpiqemi të gjejmë sfidat e përbashkëta: qeverisjen e mirë, varfërinë, sëmundjet, luftën kundër Sidës. Pastaj kërkojmë vlerat morale që i bashkojnë të krishterët e myslimanët dhe mbi këtë bazë përpiqemi t’i përballojmë sfidat. Shpresojmë që duke vazhduar në këtë rrugë, të ndryshojmë opinionin e keq për Nigerinë: atë të një vendi ku myslimanët e të krishterët nuk jetojnë kurrë në paqe. Por kjo nuk është e vërtetë. Shpresojmë edhe, që në përfundim të kësaj vizite “ad Limina”, të kthehemi me një hov më të madh apostolik për të përballuar përgjegjësitë që kemi në Nigeri. Jemi 60 ipeshkvij e në Romë jemi ndarë në dy grupe. Por të dyja këto grupe do të jetojnë një ditë sëbashku. Më 14 shkurt, Ati i Shenjtë do të na presë të gjithëve e ne jemi shumë të gëzuar për takimin me të.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.