2009-02-05 18:36:05

Konferenca ipeshkvnore e SHBA-së nis fushatën kundër abortit


(06.02.2009 RV)RealAudioMP3 Konferenca Ipeshkvnore e SHBA nisi këto ditë një fushatë të paparë ndonjëherë kundër financimit federal të abortit. Kjo fushatë i kërkon Kongresit amerikan që mos ta shtrembërojë legjislacionin mbi jetën. Me anë të një fushate të paparë ndonjëherë, katolikët amerikanë po përgatiten ta mbysin parlamentin amerikan me kartolina në mbrojtje të jetës. Prelatët kërkojnë në veçanti, që deputetët dhe senatorët t’i kundërvihen financimit federal të abortit.

“Është koha ta ngremë zërin tonë në mbrojtje të jetës. Sot më shumë se kurrë”. Kjo është parulla e fushatës së madhe kundër abortit, që filloi këto ditë në SHBA me nismën e Konferencës Ipeshkvnore amerikane. Nismëtarët thonë se qe e nevojshme kjo fushatë pasi kishte më shumë se 15 vjet që në SHBA-ës nuk zgjidheshin kaq shumë deputetë e senatorë pro abortit.

E në fakt, shumë anëtarë të Kongresit amerikan do të dëshironin ta kthenin abortin në një “të drejtë”, të cilën qeveria duhet ta financojë nëpërmjet disa taksave shtesë, që do t’u vihen shtetasve. Po rikthehet, pra, edhe një herë, projektligji i vitit 1993 për abortin, i cili asokohe pati dështuar pikërisht falë përpjekjeve të Kishës Katolike në vend. Ata që e patën kërkuar këtë ligj – vënë në dukje ipeshkvijtë katolikë – duan ta propozojnë rishtas. Nga ana tjetër, presidenti Obama ka bërë të ditur se është i gatshëm ta nënshkruajë projektligjin po qe se Kongresi e miraton.

Prelatët gjithashtu vënë në dukje se këto ligje të reja do të fshinin çdo rregull e kufi për abortin e do të lejonin që ky të kryhej deri pak para lindjes së foshnjës. Është tronditës fakti, nënvizojnë prelatët, se qysh tani në SHBA- kryhen rreth 1 milion aborte çdo vit.







All the contents on this site are copyrighted ©.