Benedikti XVI përfundon ciklin e katekizmit kushtuar Shën Palit. Thirrje për paqen
në Sri Lankë.
(04.02.2009 RV)Shën Pali është
shembull apostolik, nga i cili duhet të frymëzohemi për risimin e Kishës. Mësimet
e tij janë shumë të çmuara edhe në këndvështrimin ekumenik. Benedikti XVI e mbylli
me këto vlerësime audiencën e fundme të përgjithshme kushtuar Apostullit të Popujve.
Por, përballë mijëra besimtarëve të mbledhur në Sallën e Palit VI, Papa bëri edhe
një thirrje të fuqishme për Sri Lankën, duke kërkuar paqen e respektimin e së drejtës
humanitare për civilët, vënë në provë të rëndë nga konflikti i armatosur, që vijon
në vendin aziatik. Njëzet katekizma – i pari mbajtur më 2 korrik 2008 – për t’i
ndihmuar besimtarët ta njohin më mirë Shën Palin, dashurinë e tij të pakufishme
për njeriun, shpirtin e tij. Sot Benedikti XVI mbylli faqen e mbrame të këtij cikli,
duke u folur besimtarëve për martirizimin e Apostullit, fund i jashtëzakonshëm, që
kthehet në fillim, sepse figura e Shën Palit – vërejti Papa – i kapërcen kufijtë e
jetës dhe të vdekjes e me kalimin e viteve bëhet aq madhështore, sa të frymëzojë viganë
të tjerë të Kishës, nga Shën Agostini, tek Shën Toma:
“Ai la një trashëgimi
të jashtëzakonshme shpirtërore (…), Është prandaj e natyrshme që Etërit e Kishës,
e pastaj të gjithë teologët, të ushqeheshin nga Letrat e Shën Palit dhe nga përshpirtëria
e Tij. Kështu ai mbeti në shekuj, deri në ditët tona, mësues i vërtetë e Apostull
i Popujve”.
Dëshmia e parë për fundin e Shën Palit - shpjegoi
Benedikti XVI - i përket fundit të shekullit të parë, rreth 30 vjet pas vdekjes së
Apostullit. Gjindet në Letrat e ipeshkvit të Romës, Klementit, drejtuar Kishës së
Korintit, në të cilat përshkruhet flijimi i Pjetrit më parë e, më pas, i Palit. Dëshmia
e dytë, shkruar në shekullin IV, është ajo e Euzebit të Çezaresë, i cili flet për
trofetë e dy apostujve, dmth për monumentet e ngritura mbi varret e tyre, të cilat
edhe sot, pas dymijë vjetësh, vijojmë t’i nderojmë në të njëjtin vend ku dy Apostujt
derdhën pa ngurrim gjakun për Krishtin: në Vatikan, vend ku u kryqëzua Shën Pjetri
e në bazilikën e Rrugës Ostiense, ku ruhen reliket e Shën Palit: “Është
interesante të vëmë në dukje se dy Apostujt kujtohen së bashku. Ndonëse asnjë burim
i lashtë nuk flet për shërbimin e tyre të njëkohshëm në Romë, tradita e mëpasme kristiane,
mbi bazën e varrimit të të dyve në kryeqytetin e perandorisë, i kujton së bashku
si themelues të Kishës së Romës”.
Përshkrimin e
plotë të martirizimit të Shën Palit – vijoi Benedikti XVI – e gjejmë në ‘Veprat e
Palit’. Dokumenti i përket shekullit II e në të shkruhet se ishte Neroni ai, që e
dënoi Palin me prerjen e kokës. E, gjithnjë sipas traditës, ky vendim u ekzekutua
në një vend, që njihet me emrin Acque Salviæ në Rrugën Laurentina. Sot quhet “Tre
Burimet”. Apostulli vdiq – shpjegoi Papa – por mësimet e tij mbeten të pavdekshme,
siç e dëshmon ndikimi i menjëhershëm që patën Letrat e Palit mbi bashkësinë e parë
të krishterë:
“Ka rëndësi të vërejmë, sidomos, se Letrat e Shën Palit
hyjnë shumë shprejt në Liturgji, ku struktura profet-apostull-Ungjill është vendimtare
për formën e Liturgjisë së Fjalës së Zotit. Kështu, falë kësaj ‘pranie’ në liturgjinë
e Kishës, mendimi i Apostullit bëhet menjëherë ushqim shpirtëror për besimtarët e
të gjitha kohëve”.
Një nga studiuesit më të njohur,
të cilët u morën me mësimet e Shën Palit, është Martin Luteri. Shpjegimi që u bëri
shkrimeve të Apostullit, më pas i korrigjuar nga Koncili i Trentit, është në bazë
të përshpirtërisë protestante. Lidhur me këtë, Benedikti XVI vuri në dukje një aspekt
të rëndësishëm për jetën e Kishës:
“Në progresin e ekzegjezës, posaçërisht
gjatë dyqind vjetëve të fundit, rritet gjithnjë edhe përkimi ndërmjet ekzegjezës katolike
e ekzegjezës protestante, duke realizuar kështu një mirëkuptim të dukshëm, pikërisht
në pikën prej nga nisi mosmarrëveshja historike. Shpresë e madhe kjo, për çështjen
e ekumenizmit, në qendër të vëmendjes së Koncilit II të Vatikanit”. Papa
e përfundoi katekizmin duke kujtuar lëvizjet e shumta rregulltare, që u themeluan
gjatë shekujve të fundit në emrin e Shën Palit:
“Me një fjalë, mbetet
e ndritshme para nesh figura e një apostulli dhe e një mendimtari të krishterë, jashtëzakonisht
prodhimtar e i thellë, nga njohja e të cilit mund të përfitojnë të gjithë (…) Ushqimi
me mësimet e tij, me shembullin e tij apostolik e me doktrinën e tij, do të ishte
një nxitje, madje një garanci për fuqizmin e identitetit të krishterë të secilit nga
ne, për risimin e mbarë Kishës”.
Audienca e përgjithshme përfundoi
me shprehjen publike të shqetësimit të Benediktit XVI për konfliktin në Sri Lanka.
Papa kërkoi të heshtin armët e të fillojnë përpjekjet për pajtim:
“Lajmet
për acarimin e konfliktit dhe për rritjen e numrit të viktimave të pafajshme, më shtyjnë
t’u bëj thirrje forcave ndërluftuese të respektojnë të drejtën humanitare dhe lirinë
e lëvizjes së populisisë e të bëjnë ç’është e mundur për t’u garantuar ndihmën të
plagosurve dhe sigurinë civilëve, duke plotësuar edhe nevojat e tyre urgjente për
ushqime e ilaçe. Zoja e Bekuar e Matuu, shumë e nderuar nga katolikët e edhe nga besimtarët
e feve të tjera, u nxjerrtë të gjithëve hirin e paqes e të pajtimit në këtë vend të
dashur”.