Atë Lombardi- kancelares Merkel mbi negacionizmin: Papa nuk mund të ishte më i qartë.
(04.02.2009 RV)“Nuk mund të ishte
më i qartë’ dënimi nga ana e Papës i deklaratave që mohojnë Holokaustin (shfarosjen
në masë të hebrenjve në kampet naziste të përqendrimit): këtë theksoi sot drejtori
i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Atë Federiko Lombardi, pas pohimit të djeshëm të
kancelares gjermane, Angela Merkel. Sipas saj, sqarimet e Vatikanit për heqjen e shkishërimit
ipeshkvit lëfevrian Uiljamson, që mohoi Shoah, janë të pamjaftueshme. “Është e nevojshme
që, nga ana e Papës dhe e Vatikanit – pohoi Merkel – të thuhet qartë se Holokausti
nuk mund të mohohet. Lidhur me këtë, të ndjekim notën e Atë Lombardit:
“Mendimi
i Papës për këtë temë u shpreh krejt qartë në Sinagogën e Këlnit më 19 gusht 2005;
në Kampin e përqendrimit të Aushvici-Birkenau më 28 maj 2006, në audiencën e mëpasme
të përgjithshme më 31 maj 2006 e akoma, pak kohë më parë, në përfundim të audiencës
së përgjithshme, më 28 janarin e kaluar, me fjalë që nuk mund të vihen në dyshim,
nga të cilat po kujtojmë vetëm këto: “Ndërsa u shpreh përsëri me gjithë zemër solidaritetin
tim të plotë e të padiskutueshëm vëllezërve tanë të Besëlidhjes së Vjetër, uroj që
kujtimi i Shoah ta nxisë mbarë njerëzimin të reflektojë mbi pasojat e paparashikueshme
të së keqes, kur arrin të pushtojë zemrën njerëzore. Uroj që Shoah t’u kujtojë të
gjithëve se kjo tragjedi nuk duhet harruar, nuk duhet mohuar e as reduktuar, me bindjen
se dhuna e ushtruar vetëm mbi një njeri, është dhunë kundër të gjithëve”. Dënimi i
deklaratave, që mohojnë Holokaustin, nuk mund të ishte më i qartë e nga konteksti
kuptohet menjëherë se lidhej edhe me imzot Uiljamson si dhe me të gjitha qëndrimet
e kësaj natyre. Në të njëjtin rast, vetë Papa shpjegoi qartë edhe qëllimin e heqjes
së shkishërimit, që s’ka të bëjë fare me ligjërimin e qëndrimeve mohuese të Holokaustit,
të cilat ai i dënoi në mënyrë të padiskutueshme”.