2009-02-02 18:58:03

Papa kërkon baza etike për ekonominë e politikën si edhe garanci për familjen në audiencën me ambasadorin hungarez


(02.02.2009 RV)RealAudioMP3 Tjetër audiencë e Papës Benedikti XVI po sot, kësaj radhe me ambasadorin e ri hungarez në Vatikan. Të drejtat e njeriut, familja dhe roli i Kishës në shoqërinë hungareze: këto ishin temat kryesore të bisedës.
Ati i Shenjtë nënvizoi “horizontet e reja të shpresës për të ardhmen”, që hapën rifillimi i marrëdhënieve diplomatike të Vatikanit me vendet e ish-bllokut komunist, pas 1989-ës. Vuri në dukje përparimet e bëra nga Hungaria gjatë këtyre 20 vjetëve, për të bërë të qëndrueshme strukturat e një shoqërie të lirë e demokratike, ku Kisha nuk kërkon privilegje, por dëshiron të luajë rolin e vet, besnike ndaj natyrës dhe misionit që ka. Vetëm kohët e fundit, Selia e Shenjtë dhe Hungaria kanë nënshkruar dy memorandume për asistencën fetare të Forcave të Armatosura dhe të Policisë së kufirit.
Më pas, Papa rekomandoi që qeverisja e ekonomisë dhe e politikës të bazohet mbi etikën, duke i dhënë gjithnjë përparësi dinjitetit dhe të drejtave të njeriut, si edhe së mirës së përbashkët të njerëzimit. “Përvoja e lirive të reja – tha Benedikti XVI duke iu referuar vendeve të Lindjes – nganjëherë ka sjellë me vete rrezikun që këto vlera të krishtera e njerëzore, kaq të rrënjosura në historinë e kulturën e secilit popull dhe të krejt kontinentit evropian, të zëvendësohen nga të tjera, të bazuara mbi një këndvështrim jo të drejtë për njeriun e dinjitetin e tij dhe të rrezikshme për zhvillimin e një shoqërie vërtet të përparuar”.
Në këtë kontekst, Ati i Shenjtë theksoi rëndësinë parësore të familjes për të krijuar marrëdhënie bashkëjetese paqësore në çdo nivel. U kërkoi qeveritarëve ta mbështesin familjen, duke u siguruar prindërve të drejtën primare të edukimit të fëmijëve, edhe duke zgjedhur një shkollë fetare për ta.







All the contents on this site are copyrighted ©.