2009-02-02 18:58:17

Benedikti XVI Patrikut të ri rus, Kirill: të shpejtojmë hapin drejt bashkimit të plotë të katolikëve me ortodoksët.


(02.02.2009 RV)RealAudioMP3 Një letër për t’i shprehur afërsinë shpirtërore Patrikut të ri të Moskës e të gjithë Rusive e për të uruar vazhdimin e marrëdhënieve të mira, të mirëkuptimit e të nderimit, ndërmjet Kishës ortodokse e asaj katolike, në gjurmët e arritjeve të deritanishme me Aleksejn II. Këto janë konceptet kryesore të letrës që Benedikti XVI i dërgoi Patrikut të ri rus, Kirill, i cili dje filloi mandatin me kremtimin solemn të fronëzimit në katedralen moskovite të Krishtit Shëlbues.
Papa e uron Patrikun Kirill për fillimin e misionit e njëkohësisht njeh arritjet e deritanishme e shikon plot shpresë të ardhmen e dialogut ndërmjet katolikëve e ortodoksëve rusë. “Shpresoj se do të vijojmë bashkëpunimin e do të gjejmë mënyrat e përshtatshme për ta fuqizuar bashkimin në Korpin e Krishtit”- shkruan Papa.Ndërsa Patriku Kirill, në homelinë që mbajti gjatë kremtimit të djeshëm, preku dy argumente kryesore: punën baritore me të rinjtë dhe bashkimin e Kishës ortodokse. Pse i zgjodhi këto argumente? Kërkuam opinionin e të dërguarit të gazetës italiane ‘Avvenire’ në Moskë, Luigi Gjeninaci:

Përgjigje: - Sepse kjo është karakteristika e Patrikut të ri: të ngulë këmbë mbi dëshminë ungjillore në shoqërinë e sotme ruse, e cila nuk ndryshon shumë nga shoqëritë e shekullarizuara të perëndimit. Nga ana tjetër, një nga problemet që Kisha ortodokse e ka gjithnjë për zemër, është uniteti i brendshëm, i cili kërcënohet nga rreziku i shkëputjeve, e edhe uniteti me Kishat e tjera ortodokse. Për problemin e Kishës ortodokse ruse, Kirilli foli qartë: tha se duhen mbrojtur kufìjtë e territorit kanonik rus, duke kujtuar ngjarjet e Ukrainës e, posaçërisht, tensionet e hapura me Kishën e Estonisë, që ka deklaruar pavarësinë nga Moska.
Në qendër të vëmendjes - edhe lufta kundër shekullarizmit e relativizmit.







All the contents on this site are copyrighted ©.