2009-02-02 18:57:27

Ati i Shenjtë në lutjen e Engjëllit të Tënzot: Jezusi vuan e vdes në kryq për dashuri, duke i dhënë kuptim vuajtjes sonë.


(02.02.2009 RV)RealAudioMP3 Në lutjen e djeshme të Engjëllit të Tënzot, Benedikti XVI nënvizoi kuptimin e vuajtjes në misionin e Jezusit e në jetën e njeriut. Dje, kur në Itali kremtohej Dita për jetën, themeluar nga Konferenca ipeshkvnore italiane, e përqendruar tek forca e jetës në vuajtje, Papa komentoi posaçërisht fragmentin ungjillor të Shën Markut. Duke kujtuar episodin e njeriut të pushtuar nga djalli, që tregon kush ishte në të vërtetë Jezusi, Ati i Shenjtë pohoi se ‘Kryqi i Krishtit është rrënimi i djallit’. Njeriu duhet të ketë guxim ta thotë gjithnjë të vërtetën e ta shprehë qartë atë që mendon – për shembull – të thotë me plot gojën se eutanazia është zgjidhje e rreme e dramës së vuajtjes – theksoi Ati i Shenjtë. Liturgjia e djeshme që propozonte Ungjilli, në të cilin Jezusi çliron njeriun e pushtuar nga një shpirt i ndyrë, lidhet ngushtë me kuptimin e vuajtjes në misionin shëlbues të Krishtit. Jezusi i porosit si apostujt, ashtu edhe të sëmurët, të mos i tregojnë askujt kush është Ai, por njeriu i pushtuar nga djalli i drejtohet Jezusit me fjalët: “Ti je Shenjti i Hyjit”. Atëherë Jezusi i kërkon të heshtë, sepse zbulimi i shenjtërisë vë në lojë vetë misionin e Tij – tha Papa:

“Jezusi jo vetëm dëbon djajtë nga njerëzit, duke i çliruar nga skllavëria më e keqe, por i pengon vetë djajtë t’ia zbulojnë identitetin. E ngulmon fort mbi këtë të ‘fshehtë’, sepse është në lojë suksesi i vetë misionit të tij, nga i cili varet shëlbimi ynë”.

 
Jezusi – pohoi Ati i Shenjtë – e di se për ta çliruar njerëzimin nga djalli e nga mëkati, duhet të flijohet në kryq. Djalli përpiqet ta tërheqë në rrugën e logjikës njerëzore, ta nxisë të paraqitet si Mesi i pushtetshëm e plot sukses. Kryqi i Krishtit – shpjegoi Papa - do të jetë rrënimi i djallit. Prandaj Jezusi u kujton vazhdimisht dishepujve të vet se për të hyrë në lumni duhet të vuajë shumë, të përbuzet, të dënohet e të kryqëzohet, sepse vuajtja është pjesë përbërëse e misionit të tij:

“Jezusi vuan e vdes në kryq për dashuri. Në këtë mënyrë i jep domethënie vuajtjes së njeriut, një domethënie që shumë burra e gra të kohës sonë e kanë kuptuar dhe e kanë bërë të veten, duke provuar një qetësi të thellë shpirtërore edhe në çastet e hidhura, kur jeta e vë njeriun në prova të rënda fizike e morale”.

 
Pikërisht forca e jetës në vuajtje – vërejti më pas Ati i Shenjtë – është edhe tema që zgjodhën ipeshkvijtë italianë për Mesazhin e rastit në Ditën kushtuar jetës. Papa bëri të vetat fjalët e tyre, në të cilat vërehet dashuria e barinjve për njerëzit dhe guximi për të kumtuar të vërtetën:

“… guximi për të thënë qartë, për shembull, se eutanazia është zgjidhje e rreme e dramës së vuajtjes, zgjidhje e padenjë për njeriun. Përgjigja e vërtetë nuk mund të jetë t’i japësh tjetrit vdekjen, sado ‘e ëmbël’ të duket a të quhet, por t’i dëshmosh dashurinë, që e ndihmon të përballojë dhimbjen e agoninë në mënyrë njerëzore. Jemi të sigurtë: asnjë pikë loti, as e atij që vuan e as e atij që i rri pranë, s’ka për të humbur kurrë para syve të Zotit!”.

 
Para lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa kujtoi se sot, festa e Paraqitjes së Jezusit në tempull, kremtohet dhe Dita për jetën e përkushtuar. Ati i Shenjtë i porositi njerëzit që ia dhurojnë jetën Krishtit me kushte rregulltare, të jenë gjithnjë plot dashuri e përvujtëri, të vënë në jetë karizmat e tyre e të kenë kujdes të posaçëm për nevojtarët. Lutuni – tha në përfundim – për paqen e për kthimin e botës.







All the contents on this site are copyrighted ©.