2009-02-01 13:25:26

“Intervista për Lurdën”: ftesë për të njohur mesazhin, forcën e aktualitetin e Shenjtërores mariane.


(01.02.2009 RV)Nuk është e lehtë të flasësh për Lurdën. Për Shenjtëroren mariane, që sapo kremtoi 150 vjetorin e dukjeve të Zojës së Bekuar, janë shkruar mijëra e mijëra faqe. Tregimtarë të famshëm i kanë kushtuar libra për ta mohuar - pa sukses - ose për ta paraqitur thjeshtë si thashethemnajë fanatikësh, atë që pa e dëgjoi baresha e vogël Bernardetë. Por Lurda, historia e saj e mesazhi i saj, vijojnë të tërheqin çdo ditë besimtarë e jo besimtarë nga të katër anët e botës. Këtë rrëfen libri i ri, i titulluar ‘Intervista nga Lurda’, realizuar nga Edoardo Kaprino e Paolo Skarpa. Filli i artë, që lidh dialogët e reflektimet, lindur në Lurdë gjatë viteve të fundit, është ai i simboleve, që na flasin në këtë vend shenjt me gjuhën e shkëmbit, të ujit, të zjarrit. E sidomos, me gjuhën e mrekullisë, që e kanë provuar e e kanë parë me sytë e tyre të mahnitur, qindra besimtarë e jo besimtarë. Lista e të intervistuarve është e gjatë. Ndërmjet tyre, edhe sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone, i cili shpjegon kuptimin dhe aktualitetin e dogmës së Zojës së Papërlyer. Flitet, pastaj, për faktorët kryesorë që e krijuan dhe e mbajtën të bashkuar në rrjedhë shekujsh Evropën, e cila zgjodhi si simbol pikërisht kurorën me yje, që stolis figurën e së Papërlyerës, në sfondin e kaltërt të petkut të Saj. Flitet për Zojën e Papërlyer, si për “një dritë që duhet marrë në dorë për të rigjetur rrugën e drejtë” e “për vizitën në Lurdë, si për një trapiant qelizash të freskëta feje”. Duke lexuar intervistat e njerëzve të njohur e të panjohur, që kanë vizituar Shenjtëroren e Lurdës, e ndjejmë në shpirt afërsinë e Zotit e të Nënës së Tij”.







All the contents on this site are copyrighted ©.