2009-02-01 13:22:50

Solidaritet me të krishterët e Gazës.


(01.02.2009 RV)Të krishterët e Gazës vijojnë të jetojnë me frikë në zemër pas ditëve të tmerrshme, që nuk harrohen lehtë. Përpiqen të rifillojnë jetën e zakonshme, në sa rrënojave ndjehet frika e rifillimit të krismave, në atmosferën e armëpushimit të brishtë ndërmjet Izraelit e Hamasit, që nis të tronditet përsëri e të shtojë numrin e të vrarëve e të plagosurve, edhe kështu shumë i madh. Të martën e kaluar një sulm i palestinezëve, që mori si përgjigje një kundërsulm izraelit, përfundoi me mbylljen e kalimeve kufitare me Gazën, përmes të cilave kalojnë ndihmat urgjente humanitare për popullsinë e Rripit, ndërsa ka arritur e po shpërndahet ndihma e dërguar nga Benedikti XVI. Nuk mungojnë pra, të shtënat, nësa mungon gjithçka tjetër. E për fat, të mirë nuk mungojnë as ndërhyrjet ndërkombëtare në zonë, ku ishin i dërguari i SHBA për Lindjen e Mesme Xhorxh Mitçell dhe ai i BE-së, Havier Solana. Ndërsa gjatë javës së ardhshme Abu Mazen do të vizitojë disa nga kryeqytetet e Evropës, me bindjen se zgjidhja e çështjes së Gazës kalon edhe nëpër rrugët e Francës, të Çekisë, të Italisë e vendeve të tjera evropiane. Të krishterët e Gazës, ashtu si e gjithë popullsia e kësaj zone, teatër ku luhet një tragjedi pa fund, nuk kanë nevojë vetëm për bukë, për gjellë, për një sofër që nuk hidhet në erë papritmas nga raketat e bombat. Rrënimi i ndërtesave është shumë më pak i ndjeshëm, sesa rrënimi i zemrave. Çdo ndihmë është e nevojshme - thotë atë Manuel Musallam, që drejton famullinë e Familjes Shenjte të Gazës, por për të na e kthyer gëzimin, duhet diçka më shumë se ndihma humanitare. Duhet të mos rrimë me veshë ngrehur, duke pritur rifillimin e bombardimeve e të trajtimit tonë më keq se skllevërit.
Edhe bashkësia ortodokse, me trimijë besimtarë, po përpiqet të rikthehet në jetën normale. Bombardimet izraelite e penguan ta festojnë Krishtlindjen e tani po përpiqet ta krijojnë atmosferën e solemnitetit që kaloi, duke pritur Krishtlindje më të mira vitin e ardhshëm.







All the contents on this site are copyrighted ©.