2009-02-01 13:22:05

Shenjtorët e javës sipas Kalendarit kishtar.


(01.02.2009 RV)Sot Kisha katolike kremtoi të Dielën IV të kohës së zakonshme liturgjike gjatë vitit kishtar. Përkujtoi edhe Shën Ludovika Albertonin, vejushë romake dhe Shën Brigjidën, abateshë në Irlandë.

Të hënën do të kremtohet Paraqitja e Krishtit në tempull, festë që në Shqipëri njihet edhe si Zoja e Qirave. Na kujton thirrjen e Psalmistit: “Eja, o Zot në tempullin tënd shenjt!” Liturgjia e festës na fton të reflektojmë mbi besnikërinë e prindërve të Jezusit ndaj ligjit, parafoljet e Simeonit, shërbimin e lutjen e profeteshës Ana, që kumtojnë ardhjen e Shëlbuesit e zbulojnë misionin e tij shpërblyes.

Të martën, është festa liturgjike e Shëna Vlashit ipeshkëv i Sebastes e martir dhe e Shën Angarios, ipeshkëv i Hamburgut e Bremës, Apostull i Skandinavisë. Me jetën e tyre na kujtojnë se lumnia e Zotit është njeriu i gjallë.

Jezusi nuk mund të bëjë mrekulli, në se ne nuk i besojmë me gjithë zemër. Këtë na kujton liturgjia e së mërkurës, kur Kisha do të përkujtojë Shën Eutikin, martir e Shën Jozefin nga Leonessa, meshtar kapuçin.

Të enjten, në festën e Shën Agatës(Ages), virgjër e martire e Katanies, Shën Adelaides abateshë e Shën Elizabetës Kanori Mora, nënë familjeje, liturgjia na fton të meditojmë mbi mandatin misionar të Jezusit, që buron nga thirrja e tij. Ai i dërgon apostujt dy nga dy, për ta ndihmuar njëri-tjetrin e për t’ia dëshmuar botës dashurinë e tij; kërkon shkëputje nga të mirat materiale e besim të plotë në ndihmën e Provanisë; mbarështon lyerjen me vaj, si mjekim e si ndihmë hyjnore.

Të premten do të përkujtohen Shën Pal Miki, meshtar e shokët e tij, martirë japonezë si dhe Shën Doroteja, virgjër, që e shkrinë gjithë jetën duke kërkuar Zotin, e vetmja shpresë e njeriut në kërkim të përhershëm të së vërtetës e të amshimit.
 Të shtunën Kisha na kujton shembëlltyrën e Bariut të mirë. Është simbol i Jezusit, i cili na pret me dashuri, si bariu delet e humbura. Ai është Bariu i madh, që u prin të pagëzuarve në rrugën e përsosurisë shpirtërore me mësimin e tij e me ushqimin eukaristik. Është festa e Shën Rikardit dhe e të Lumit Piu IX papë.

E diela e ardhshme është e pesta e kohës së zakonshme gjatë vitit kishtar.







All the contents on this site are copyrighted ©.