2009-02-01 13:21:33

Salezianët hapin kremtimet për 150-vjetorin e themelimit të Familjes


(01.02.2009 RV)Dje, me një kremtim solemn në bazilikën e Shën Marisë Ndihmëtare në Torino, kryesuar nga Rektori i madh, don Paskual Çaves Villanueva, u hapën kremtimet për 150-vjetorin e themelimit të Familjes Saleziane. Njëkohësisht kardinali Tarçizio Bertone, sekretar i Shtetit të Vatikanit, kryesoi kremtimin eukaristik në katedralen e Bolonjës.Jubileu i salezianëve na kujton takimin e 18 dhjetorit të vitit 1859, në banesën e Gjon Boskut, pranë Oratorios së Shën Françeskut të Sales në Valdoko, ku një grup të rinjsh pranuan ftesën e mësuesit e atit të tyre shpirtëror, për t’u mbledhur në një Shoqatë a Kongregatë që, duke pasur si synim ndihmën e anasjelltë për shenjtërimin vetjak, të punonte për lumninë e Zotit dhe për shpëtimin e shpirtrave, posaçërisht të atyre që kishin më shumë nevojë për mësim e edukim”. (Kështu shkruhet, fjalë për fjalë, në proces-verbalin historik, që u mbajt në atë ditë të largët nga don Alasonati). Sipas Rektorit të madh, viti 2009 do të jetë vit hiri. Viti u hap me festën e djeshme liturgjike të Shën Gjon Boskut e do të vijojë me një sërë veprimtarish, si festa e Zojës Ndihmëtare, shtyrë për 25 maj; kremtimi i ditës së emrit së Shën Gjon Boskut më 24 qershor; i ditëlindjes së shenjtit, më 16 gusht e shumë veprimtari të tjera. Me rëndësi të veçantë, kremtimi i 18 dhjetorit 2009, kur salezianët e gjithë botës do të përsërisin kushtet rregulltare.
Në këto veprimtari përfshihet edhe Bashkësia saleziane me mision në Shqipëri, ku kryen një sërë veprimtarish të rëndësishme për edukimin fetar e formimin profesional të të rinjve, duke vijuar kështu një traditë të vjetër, që ka lënë gjurmë të ndritura në Shqipëri. Të pashlyeshme, posaçërisht, gjurmët e motrave saleziane në edukimin e arsimimin e vajzave shqiptare.







All the contents on this site are copyrighted ©.