(01.02.2009 RV)U hap të martën e kaluar e përfundoi dje Asambleja e Roaco,
Bashkimit të Veprave të ndihmës për Kishat lindore. Ndërmjet temave, që u diskutuan
sivjet, ishin ajo e situatës në bashkësitë e krishtera të Indisë dhe e nevojave në
ato të Ukrainës. Për Kishat malabareze e malankareze të Indisë u theksua se janë
në lulëzim të vazhdueshëm, me një rritje të ndjeshme të numrit të besimtarëve. E në
përkim me rritjen numerike, është edhe ajo e nismave të bamirësisë për gjithë popullin
indian. Kanë, prandaj , nevojë për ta ndjerë pranë dorën e Kishës universale. E
po kjo nevojë ndjehet edhe në Kishën greko-katolike të Ukrainës, e cila 20 vjet më
parë doli nga periudha e errët e persekutimit të regjimit komunist sovjetik, pa meshtarë,
pa struktura edukimi, pa qendra fetaro-kulturore. E pikërisht për këto u fol gjatë
kësaj jave në takimin Roaco-së, që vijon prej vitesh të ndihmojë atje ku ka më shumë
nevojë, për t’i çuar gjymtyrëve më të ligshta forcën e vëllazërinë e Kishës katolike
universale.