2009-02-01 13:23:50

Nga jeta e bashkësive katolike në Azi.


(01.02.2009 RV)Hong Kong: Të krishterët e Hong Kongut e kremtuan Vitin e ri kinez me vepra solidariteti, ndihme e bashkimi, në atmosferën e krizës financiare botërore, që peshon rëndë edhe mbi festat. Udhëheqësit e bashkësisë së krishterë, në mesazhin e Krishtlindjes, i patën ftuar besimtarët të mos e shikojnë konsumizmin si të vetmin burim të lumturisë. Sipas buletinit dioqezan, në variantin kinez Kong Ko Bao, shumë nga bashkësitë e krishtera u aktivizuan për t’u treguar konkretisht njerëzve kuptimin që ka fillimi i një vitit të ri për të krishterët, e sidomos për katolikët. Duhet ta falënderojmë Zotin për çdo vit të ri që na dhuron e të kuptojmë çka është vërtetë e nevojshme për jetën njerëzore, e çka shërben vetëm për të plotësuar disa kënaqësi, që nuk e pasurojnë aspak njeriun, përkundrazi - shkruhet në Buletin.

Taiwan: Ndërsa imzot Xhon Hunf, kryeipeshkëv i Tai Pei-t e kryetar i Konferencës ipeshkvnore të Taivanit, në mesazhin e tij për Vitin e Ri kinez, i porosit besimtarët të mos e harrojnë identitetin e tyre të krishterë, dmth të mos e harrojnë gëzimin që buron nga takimi me Krishtin e dashurinë e krishterë, posaçërisht ndaj më të varfërve. Në atmosferën e krizës globale - shkruan ipeshkvi - ne nuk mund e nuk duhet të trembemi. Po të besojmë ngultas se Zoti është me ne, s’ka gjë në botë që mund ta trazojë paqen tonë shpirtërore. Nuk ka forcë që mund të na e rrëmbejë gëzimin, që vetëm Zoti di ta japë”.

Kinë: Këto ditë në dioqezën e Nan Kong, në zonën Da Zhou të Kinës kontinentale, u mbajt seminari i tretë teologjik për vitin kushtuar Shën Palit Apostull, me temë “Fryma misionare e Shën Palit”. Më se 100 meshtarë, rregulltarë, rregulltare e besimtarë, të ardhur nga të katër anët e dioqezës, diskutuan për të thelluar njohjen dhe vlerën aktuale të letrave të Apostullit të Popujve, duke i lidhur ngushtë me realitetin e jetës së përditshme në dioqezë. Dioqeza e Nan Kong, zonë e tronditur nga tërmeti i fortë i 12 majit të kaluar, vijon të ndjekë programin për kremtimin e vitit kushtuar Shën Palit sipas kalendarit, i cili përcakton katër faza: studimin e Letrave; të teologjisë; të metodës misionare dhe të meditimit, duke përfshirë kështu gjithë veprimtarinë e Shën Palit.

Vietnam: Një mision ndihme e solidariteti kryen këto ditë në Vietnam disa ipeshkvij amerikanë, që vizituan Hanoin. Ipeshkvijtë ishin vizitorët e parë të huaj, që hynë në vendin aziatik, pas sulmit të autoriteteve vendase kundër të krishterëve për truallin e ish-delegacionit apostolik. Gjatë vizitës u bënë edhe disa vëllazërime ndërmjet dioqezave amerikane e atyre vietnameze. Ipeshkvijtë amerikanë kremtuan një Meshë shenjte në katedralen e Shën Jozefit.







All the contents on this site are copyrighted ©.