(30.01.2009 RV)Historia e kësaj
vajze të re fillon nga fundi i jetës së saj, nga varri. Mësojmë se 1. 440 vjet pas
martirizimit, në vitin 1534, i zellshmi Papa Urbani VIII, i impenjuar në frontin shpirtëror
me kundëreformën katolike e në atë material, me rindërtimin e kishave romake, zbuloi
në një kishë të Forit romak sarkofagun me reliket e Shenjtores, gjë që e dëshmonte
një epigraf i shkruar mbi kapakun e arkivolit. Ringjalli, kështu, në shpirtin e romakëve
devocionin për Shën Martinën, duke caktuar 30 janarin si datë të festës së saj, festë
që kishte nisur të kremtohej që në shekullin VIII. Po kush ishte Martina, që pas
disa shekuj harrese, u bë përsëri një nga Pajtoret e Romës? Historia flet pak për
të. Lajmi më i lashtë që kemi për martiren, është se Papa Onori I i kushtoi një Kishë
në Forin romak. Pesëqind vjet më pas, gjatë gërmimeve në këtë Kishë, u gjetën varret
e tre martirëve. Kaq na tregon historia. Për të ditur diçka më shumë, na duhet
t’i drejtohemi gojëdhënës. Sipas traditës, Martina qe diakoneshë, bijë e njërit nga
konsujt më të shquar romakë të kohës. U martirizua nën Aleksandër Severin (222-235).
Sipas tregimit mbi martirizimin e saj, Martina u zvarrit para një shtatoreje të Apolit,
të cilën jo vetëm që nuk pranoi ta adhuronte, por e rrëzoi nga piedestali dhe e bëri
copë-copë. Rrëzimi i shtatores – gjithnjë sipas gojëdhënës - shkaktoi një tërmet të
fuqishëm, që rrënoi krejt tempullin. E nën rrënoja gjetën vdekjen edhe priftërinjtë
e perëndisë pagane. Mrekullia u përsërit me shtatoren e Artemidës. Kjo duhet t’i
kishte shtyrë persekutorët e saj të reflektonin sadopak; por ata përkundrazi, të tërbuar
edhe më keq, vijuan të provonin tortura edhe më mizore mbi gjymtyrët e saj të njoma.
E ajo i përballoi. Atëherë ia prenë kokën me shpatë e gjaku i saj vaditi truallin,
mbi të cilin do të lulëzonte Kisha romake.