(30.01.2009 RV)Qyteti i Vatikanit kremton 80-vjetorin e themelimit të tij,
që përkon me nënshkrimin e Pakteve Lateranense të 1929-tës, ndërmjet Italisë dhe
Selisë së Shenjtë. Këto pakte, gjithnjë aktuale, u nënshkruan me qëllimin e renditjes
së veprimtarisë, së bashku e veçmas, në shërbim të së mirës së njeriut, për të arritur
kështu në cakun e harmonisë shoqërore. Traktati mbyllte çështjen romake, duke themeluar
Qytet-Shtetin e Vatikanit, ndërsa Konkordati ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Italisë,
disiplinonte praninë e Kishës në jetën italiane. Këto dokumente i dhanë fund ndarjes
së dhimbshme ndërmjet qytetarit e besimtarit, duke krijuar mundësitë që besimtarët
të marrin pjesë me të drejtë të plotë qytetarie në jetën e vendit dhe të thonë fjalën
e tyre si katolikë në të gjitha fushat e jetës. Vlerat e 11 shkurtit ndikuan fuqimisht
edhe për vënien në dukje të rolit që luan Selia e Shenjtë në gjirin e bashkësisë ndërkombëtare,
me qëllim që të konkretizohet mesazhi, mbartës e zëdhënës i të cilit është vetë Kisha,
e cila në çdo vend e në çdo kohë ka si qëllim të mbështesë kauzën e njeriut. Kjo
ngjarje e madhe e vitit 1929 shënoi fundin e kundërvënies ndërmjet shtetit e Kishës.
Një kundërvënie e tillë vijonte që nga koha Lëvizjes për Bashkimin e Italisë në shekullin
XIX, që i pati ndarë veçmas fatet e fesë nga ato të atdheut. Theksoi kështu, se
Kisha ka të drejtë të plotë të zhvillojë misionin e saj fetar dhe, në të njëjtën kohë,
të punojë për paqen dhe progresin e popujve. Shteti e Kisha, duke shmangur çdo rrezik
kundërvënieje, bashkëpunojnë me sukses për njeriun dhe lartësimin e tij shpirtëror
e material. Në drejtpeshimin ndërmjet dy përkatësive, qëndron edhe e fshehta e lirisë
dhe e progresit në Evropë. Ajo që ishte arritja e veçantë konkordatare, mund të bëhet
referim i qartë për Evropën që vijon të bashkohet.