2009-01-30 17:13:24

Një Kuvend, një koncert e një ekspozitë, nga shkurti në maj, do të përkujtojnë 80-vjetorin e themelimit të Shtetit të Vatikanit.


(30.01.2009 RV)RealAudioMP3 Një Kuvend, një koncert e një ekspozitë me 5 seksione për të përshkuar historinë e gjatë të lindjes së Qytet-Shtetit të Vatikanit, i cili më 11 shkurtin e ardhshëm feston 80 vjetorin e themelimit, formalizuar nga nënshkrimi i Pakteve Lateranense më 1929. Inicitivat përkujtimore u paraqitën sot paradite në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë nga kardinali Xhovani Lajolo dhe nga kryeipeshkvi Renato Bokardo, përkatësisht president e sekretar i Guvernatoratit të Qytetit të Vatikanit.
“Ai territor” të fitojë “sovranitetin territorial”, “të nevojshëm dhe të detyrueshëm për atë që s’mund të jetë nënshtetas i asnjë sovraniteti tokësor”. Fjalët e Papës Piu XI u cituan disa herë sot paradite për të kujtuar pikërisht firmën historike, që sanksionoi lindjen e 44 kilometrave katrore më të famshme të botës. Ja si u përshkrua Shteti i Vatikanit nga imzot Bokardo, i cili citoi edhe saktësimin e mëtejshëm të Piut XI:
“E vërtetë është se ndjejmë që kemi të drejtë të themi se ai territor, të cilin ia rezervuam vetes e që na u njoh, është materialisht i vogël, por si i tërë është i madh, më i madhi në botë, nga çdo lloj pikëpamje të shihet! Kur një territor mund të mburret me Kolonatin e Berninit, Kupolën e Mikelaxhelos, thesaret e shkencës dhe të artit në arkiva e biblioteka, në muzetë e në galeritë e Vatikanit, kur një territor mbulon e ruan Varrin e Princit të Apostujve, kemi edhe të drejtën të pohojmë se nuk ka në botë territor më të madh e më të çmueshëm”.
Në tetëdhjetë vjet historie e aktiviteti, “territori i vogël për një mision të madh” – siç thuhet në titullin e Kuvendit me karakter historik, që do të mbledhë në Vatikan emra të shquar nga 12 deri më 14 shkurt – e ka kryer mirë funksionin për të cilin u impenjua Papa Rati. Kështu u tha gazetarëve kardinal Lajolo:
“Shteti i Vatikanit ka kuptim, sepse i jep Selisë së Shenjtë një mbështetje, për të qenë e sigurtë në lirinë e pavarësinë e saj, de facto e de jure, dhe me të vërtetë, ka shërbyer për këtë që nga themelimi e deri më sot: i ka siguruar Papës pavarësinë dhe lirinë nga çdo pushtet politik. Papa nuk është subjekt i asnjë pushteti politik”.
Paktet Lateranense sanksionuan njohjen e Vatikanit dhe pjesëmarrjen e tij në institucionet ndërkombëtare. Kjo histori tregohet përmes ekspozitës së pasur, të titulluar “1929 – 2009 – Tetëdhjetë vjetët e Shtetit të Vatikanit”, e cila do të hapet në Krahun e Karlit të Madh, nga 12 shkurti deri më 10 maj. Spikat paraqitja në reliev në dru mështekne e krejt Qytetit të Vatikanit me të gjitha ndërtesat që e përbëjnë sot e kësaj dite. Ekspozita e shuan kureshtjen e vizitorit edhe për vitet përpara 1929-ës, me dokumente e harta të vjetra. Do të mund të shihet për herë të parë, origjinali i Traktatit të nënshkruar me Italinë, i cili ruhet në Arkivat Sekrete të Vatikanit. Përshkruhet edhe ndërtimi i Shtetit të Vatikanit, që Papa Piu XI ia besoi arkitektit piemontez Xhuzepe Morno dhe inxhinjerit Leone Kasteli.
Ndërkaq, më 12 shkurt, në Sallën Pali VI do të mbahet koncerti përkujtimor për 80-vjetorin e Pakteve Lateranense, me praninë e korit të katedrales së Dublinit dhe të Orkestrës së qytetit irlandez, të cilët do të ekzekutojnë oratoriumin e Hendelit “Mesia”.







All the contents on this site are copyrighted ©.