2009-01-29 19:08:38

Viti i Astronomisë: Kisha nderon Galileo Galilein


(29.01.2009 RV)U paraqit sot, në Sallën e Shtypit të Vatikanit, programi i Vitit të Astronomisë. Në konferencën e shtypit foli kryetari i Këshillit Papnor për Kulturën, imzot Xhanfranko Ravazi, i cili vuri në dukje se gjatë këtij viti, Kisha ka ndërmend të rishikojë vendimet e saj për shkencëtarin e njohur Galileo Galilei. Kujtojmë se Galilei pësoi një proces nga ana e Kishës për faktin se mbronte tezën e rrotullimit të Tokës rreth Diellit e rreth vetes. U dënua si heretik më 22 qershor 1633 dhe i kaloi ditët e fundit të jetës në internim.
Kisha Katolike e ka rishikuar qëndrimin e vet ndaj Galileit. Siç shpjegoi imzot Ravazi, rasti i Galileit duhet ta çojë Kishën e teologët e saj drejt autokritikës për të kaluarën. Falje për vendimin e marrë kundër Galileit pati kërkuar edhe Papa Gjon Pali II me rastin e Jubileut 2000. Vepra e Galileit do të jetë në këtë kuptim, objekt i Kuvendit ndërkombëtar mbi shkencëtarin, që do të mbahet në Firence nga 26 deri më 30 maj të këtij viti.







All the contents on this site are copyrighted ©.