Sot Kisha katolike përkujtoi Shën Kostancin, ipeshkëv i Perugjës.
(29.01.2009 RV)Martiriologu Jeronimian e kujton më 29 janar. Sipas gojëdhënës,
nga e cila kemi katër variante, Kostanci u arrestua dhe u hoq zvarrë para konsullit
Luçio gjatë persekutimit të Antoninit. Pasi u rrah mizorisht me kamzhik, u mbyll së
bashku me disa shokë në një furrë të madhe të ndezur, prej nga doli mrekullisht i
paprekur. U flak rishtas në burg, ku me sjelljen e tij shembullore, ia doli t’i kthejë
në fenë e Krishtit rojet, që e ndihmuan të ikte. U strehua në shtëpinë e një farë
Anastasi, edhe ky i krishterë, por u arrestua përsëri. U martirizua pranë Kishës së
Trivios, në zonën e Folinjos, ku shërbente. Kisha u shemb rreth vitit 1527, po fusha
ku derdhi gjakun për Krishtin vijon t’ia ruajë emrin. Quhet edhe sot e kësaj dite
‘Fusha e Shën Kostancit’. Pas martirizmit, reliket e shenjtit u mbartën në Perugja
e u varrosën në vendin mbi të cilën më pas u ngrit katedralja e qytetit italian.