2009-01-29 19:08:28

Koncili II i Vatikanit është çelësi për të kuptuar papninë e Papës Benedikti XVI.


(29.01.2009 RV)Koncili II i Vatikanit është çelësi për të kuptuar papninë e Papës Benedikti XVI. Kështu foli mbrëmë Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone në Rrethin e Romës, themeluar 60 vjet më parë nga imzot Xhovani Montini, Papa i ardhshëm Pali VI.
Kardinal Bertone e përkufizoi magjisterin e Papës Racinger, “një vepër në ndërtim e sipër”, pasi tri vjet e pak muaj janë akoma të pamjaftueshëm për të bërë një bilanc. Por disa elemente shihen qartë që tani. Në fillim të papnisë, Benedikti XVI pati shprehur vullnetin për t’u impenjuar më tej në zbatimin e Koncilit, duke shpjeguar se ai ka sjellë dy interpretime të kundërta. Njëri, që e konsideron Koncilin II të Vatikanit si ndërprerje të traditës së Kishës - e ky interpretim, sipas Papës ka krijuar konfuzion – dhe tjetri, që e sheh Koncilin si vazhdimësi e rinovimit të Kishës, e cila si dje, ashtu edhe sot është e njëjta Kishë e Jezu Krishtit. E kjo është rryma që ka sjellë fryte, saktëson Ati i Shenjtë.
Sekretari i Shtetit të Vatikanit, në fjalën e tij para Rrethit të Romës, shpjegoi se filli që përshkon papninë e Benediktit XVI është pikërisht ky: “Të lidhë fijet e këputura të rrjetës së Krishtit, që është Kisha”. Kardinal Bertone kujtoi ndërhyrjet e shumta të Papës në favor të pajtimit e të bashkimit ndërmjet vetë katolikëve, si “Letra drejtuar kinezëve”, apo lejimi i përdorimit të liturgjisë romake para Papës Pali VI e së fundi, gjesti i heqjes së shkishërimit për katër ipeshkvijtë lëfevrianë.








All the contents on this site are copyrighted ©.