2009-01-27 16:04:15

Filloi zgjedhja e Patrikut të Moskës e të gjithë Rusive


(27.01.2009 RV)Filluan sonte zgjedhjet për kreun e ri shpirtëror të Kishës ortodokse ruse. Mëse 700 delegatë, tri për çdo dioqezë (një pop, një murg e një besimtar i thjeshtë) janë mbledhur në Katedralen e Krishtit Shpëtimtar për të votuar Patrikun e 16-të të Moskës e të gjithë Rusive, të cilit do t’i takojë të vendosë distancën që dëshiron të mbajë Kisha ortodokse me Kremlinin dhe me Vatikanin. Peshkopët kanë zgjedhur tashmë të dielën e kaluar, tri kandidatë, por emri mund të jetë edhe i ndryshëm prej tyre. Zgjedhja bëhet me shumicë absolute dhe duhet të përfundojë të enjten. Të tri kandidatët e peshkopëve, nënvizon gazeta “Times” e Londrës, dyshohen si ish-agjentë të KGB-së, ashtu siç dyshohej edhe Patriku Aleksej II, në krye të Kishës me 165 milion besimtarë, që nga viti 1990 e deri në vdekjen e tij, dhjetorin e kaluar. Tri kandidatët janë: metropoliti i Smolenskut e Kaliningradit, Kirill, përgjegjës i marrëdhënieve me jashtë, i cili është në favor të afrimit me Kishën Katolike e të pavarësisë nga pushteti politik; pastaj, metropoliti i Kalugës dhe i Borovskut, Kliment, konservator, i afërt me Vladimir Putin; së fundi, metropoliti i Minskut dhe i Slutskut, kreu i Kishës bielloruse, Filaret, i lidhur me presidentin Aleksandër Llukashenko.







All the contents on this site are copyrighted ©.