U bë i njohur programi i udhëtimit të Papës në Kamerun e Angola
(26.01.2009 RV)Mungojnë më pak se dy muaj nga udhëtimi i ardhshëm apostolik
i Papës Benedikti XVI në Afrikë, ku do të shkelë për herë të parë në harkun e papnisë.
Sot paradite, Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë bëri të njohura aktivitetet, që
do të zhvillohen nga 17 deri më 23 mars, në ditët e vizitës në Kamerun e Angolë. Gjashtë
orë udhëtimi, nga Vatikani në Ekuador, për të çuar gjithë kujdesin e shqetësimin e
tij në kontinentin e zi, ku parashikohet që Papa të mbërrijë në orën 16 të 17 marsit
të ardhshëm. Në kryeqytetin e Kamerunit, Jaundè, Ati i Shenjtë do të mbajë fjalimin
e tij të parë. Të nesërmen, takimet institucionale me presidentin e vendit dhe me
sivëllezërit e episkopatit lokal e me të gjitha nivelet e hierarkisë kishtare. Këto
takime do të përfundojnë me Lutjen Mbrëmësore me karkter ekumenik në Bazilikën e Shën
Marisë, Mbretëresha e Apostujve. Më 19 mars, Benedikti XVI do të zhvillojë një
bisedë me përfaqësuesit myslimanë të Kamerunit e në orën 10, në stadiumin e Jaundesë,
do të kremtojë Meshën solemne, gjatë së cilës do t’u dorëzojë idealisht të gjithë
ipeshkvijve të Afrikës, Instrumentum Laboris për Sinodin e tyre të ardhshëm. Më
20 mars, Papa do të niset për në Angolë, ku pas ceremonisë së mirëseardhjes në kryeqytetin
Luanda, do të takohet me presidentin dhe me autoritetet civile të vendit. Me pas,
takimi vëllazëror me ipeshkvijtë e Angolës e të Shao Tomè, të cilët bëjnë pjesë në
të njëjtën Konferencë ipeshkvnore. Në orën 10 të datës 21 mars, Benedikti XVI do të
kremtojë Meshën në Kishën e Shën Palit në Luandë e pasdite do të takojë të rinjtë
në stadiumin e qytetit. Të dielën, më 22 mars, Ati i Shenjtë do të kremtojë meshën
në praninë e ipeshkvijve të Imbisës, ku përfshihen prelatët e Mitingut ndërrajonal
të Afrikës së Jugut. Pasdite, Papa do të takohet me Lëvizjet katolike për promovimin
e gruas. Të nesërmen, në orën 10.30, Benedikti XVI do të largohet nga Afrika për t’u
kthyer në Vatikan.