Shtatë vjet më parë Katedralja e Tiranës i kushtohej Shën Palit Apostull.
(26.01.2009 RV)Shtatë vjet më parë, më 26 janar 2002, Kryeqyteti i Shqipërisë,
me një kremtim solemn liturgjik, në praninë e kardinalit Anxhelo Sodano, asokohe sekretar
i Shtetit të Vatikanit, ia kushtonte katedralen e vet Shën Palit Apostull. Shtatë
vjet më vonë, ky kushtim merr një rëndësi të veçantë, kuadruar në Vitin kushtuar dymijëvjetorit
të ditëlindjes së Shën Palit, i pari nga Apostujt e Krishtit, që shkeli në trevat
shqiptare e mbolli ndër to farën e mirë të Ungjillit të Krishtit, e cila u mbiu e
u rrit e vaditur me gjak martirësh në shekujt e historisë gjithnjë të trazuar të këtyre
trojeve, duke arritur një nga kulmet nën diktaturën komuniste. Prandaj edhe i dërguari
i Papës Gjon Pali II, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinalit Sodano, gjatë
homelisë vuri theksin pikërisht mbi persekutimin e besimtarëve nën thundrën e kësaj
diktature: “Nata e gjatë dhe e dhimbshme e persekutimit tashmë kaloi – tha
Hirësia e Tij – e një ditë e ndritshme nisi të agojë në këtë skaj të Evropës, ku
po lind një epokë e re në jetën e atdheut. Simbol i këtij kapitulli të ri në historinë
kombëtare dëshiron të jetë katedralja e re e Tiranës, që u ngrit në zemër të kryeyqtetit,
gati-gati si të donte t’u fliste të gjithë besimtarëve, t’i ftonte të kthehen e të
venë në qendër të jetës individuale e shoqërore, kultin e Hyjit, krijuesit e Zotit
tonë”. Për ne të krishterët – shpjegoi në vijim kardinali Sodano – ky është
Urdhërimi i parë, ndërmjet Dhjetë Urdhërimeve të Tynzot: “Unë jam Zoti, Hyji yt.
Nuk do të kesh Zot tjetër, përveç meje!”. E ky është mësimi që Zoti i ka dhënë
e vijon t’i japë popullit të vet. “Unë jam Zoti, Hyji yt, që të nxori nga dheu
i Egjiptit, nga skllavëria; nuk do të kesh zota të tjerë, përveç meje!”. Duke
komentuar leximet e Meshës Shenjte me ritin e kushtimit, Kardinali Sodano e quajti
tempullin e ri, ngritur në zemër të Tiranës “Një shkallë drejt qiellit”; (leximi
i parë, cfr Zan 28, 11-18; 28,17); Tempull shpirtëror (Leximi II, nga Letrat
e Shën Palit drejtuar Korintianëve). E iu drejtua besimtarëve shqiptarë me fjalët
gjithnjë aktuale të Shën Palit: “Vëllezër, ju jeni ndërtesa e Zotit… A nuk e
dini ju, se jeni tempulli i Hyjit e se Shpirti i Hyjit banon në ju?”. Kjo britmë
e Apostullit, të cilit iu kushtua shtatë vjet më parë Katedralja, kumbon ende e do
të kumbojë në shekuj jo vetëm brenda mureve të saj. Britma përhapet në të katër anët
e vendit, duke i bërë një thirrje të amshuar banorëve të këtyre trevave, si simbol
mistik i pranisë së Krishtit në zemrat e të krishterëve. Kardinali Sodano u la
shqiptarëve një mesazh thellësisht aktual, në emër të Papës, duke u bërë thirrje:
“Hyni në këtë Katedrale të re për të dashur Zotin, e dilni prej këndej për të dashur
të afërmin”. Kështu, shtatë vjet më parë, në zemër të kryeqytetit të Shqipërisë,
katolikët ia kushtuan katedralen e tyre kryesore Shën Palit Apostull. Po ngrehina
kishtare, e rrethuar nga kompleksi i ndërtesave të tjera, që zbukurojë qendrën e Tiranës,
nuk u përket vetëm katolikëve: në të janë të mirëpritur të gjithë, edhe pse, përveç
misionit të saj kryesor, që është ai fetar, katedralja e Shën Palit në Tiranë është
edhe qendër kulture e arti. Është vetëm shtatëvjeçare, ndër më të voglat në moshë,
përballë katedraleve madhështore të krishtërimit, që lartohen në kryeqytetet e botës
prej mijëra vjetësh e ku punuan artistë të pavdekshëm. Por gjithsesi as asaj nuk i
mungojnë veprat e artit: madje, në këndvështrimin arkitektonik, ajo vetë është një
vepër arti. E pastaj, sapo hyn në tempull, të bie menjëherë në sy një Kryq masiv,
me Krishtin e kryqëzuar, që i pret me krahë hapur të gjithë ato që shkelin në Tempull.
Ka edhe vetratat e shumta, realizuar nga një grup vetratistësh breshianë, me skena
nga jeta e Shën Palit. U shtohet edhe një vetratë, që paraqet Nënë Terezën me ipeshkvin
e parë të katedrales, imzot Mirditën, falë veprimtarisë së palodhshme të të cilit
u ngrit ky tempull. E një tjetër përjetëson vizitën e Gjon Palit II, i pari Papë që
shkeli në Shqipëri. Ai nuk e pa të kryer katedralen e Tiranës, por shuguroi ipeshkvin
e saj të parë. Ka pra edhe shumë vend për kryevepra të tjera, që mund e duhet
të dalin nga duart e artistëve shqiptarë, të cilët e dinë mirë se Ungjilli është burim
i pashterrshëm frymëzimi e se prej tij janë frymëzuar Da Vinçi, Buonaroti, Rafaeli…
për të mos kujtuar artistë të tjerë të mëdhenjt të të gjitha kohërave e kombeve. Duhen
kujtuar, pastaj, veprimtaritë e shumta kulturore, ndërmjet të cilave ato muzikore.
Katedralja ka korin e saj tejet të përgatitur, të drejtuar nga muzikantë shumë të
njohur shqiptarë, që shoqëron kremtimet fetare; ka instrumentistët e saj, jep koncerte
e zhvillon veprimtari të tjera artistike e kulturore gjatë gjithë vitit. Nuk mund
të mos kujtojmë se kjo Katedrale është kryetempulli i dioqezës së lashtë të Durrës-Tiranës,
që ekzistonte që në shekullin XIII e që më parë njihej si Metropoli e Epirus Novus.
Burimi më i lashtë, që na flet për ekzistencën e krishterimit në këto vise që në shekulin
IV, është vëllimi VII i veprës monumentale ‘Illyricum Sacrum” – “Iliria Kishtare”,
e cila përshkruan pikërisht organizimin kishtar të trevave të Ilirisë. Që në vitin
95 pas K. Dioqeza kishte ipeshkvin e vet të parë, shenjt e martir: Çezarin. E shumë
më vonë, një ipeshkëv tjetër, tepër të njohur martir: Imzot Viçenc Prennushin, shuguruar
ipeshkëv më 1940, Martir më 1948, në dioqezën e tij. E, pas një heshtjeje të gjatë,
shkaktuar nga persekutimi, dioqeza e mbetur pa bari, pa të shkelte në një truall ku
ende nuk ekzistonte katedralja e sotme, Ipeshkvin e vet të parë, imzot Rrok Mirditën,
që u shugurua më 25 prill 1993 nga vetë Papa Gjon Pali II. Asokohe dioqeza quhej ende
e Durrës-Tiranës, ndërsa më pas Papa Vojtila e ngriti në rangun e Kryedioqezës, duke
ia ndryshuar edhe emrin në “Arkidioqeza Metropolitane e Tiranë-Durrësit”. Më 29 qershor
2005 imzot Rrok Mirdita merrte, në Romë, nga Papa Benedikti XVI, Palion e metropolitit.Katedralja
ka vetëm shtatë vjet që është kushtuar, por i ka rrënjët në një histori shumëshekullore:
në historinë e krishtërimit ndër shqiptarë që, duke i bërë ballë shpatave e shekujve
- hyri në mijëvjeçarin e tretë të krishterimit!