2009-01-26 18:38:03

Papa u heq shkishërimin “lataæ sententiæ” katër ipeshkvijve të shuguruar më 1988 nga imzot Lëfevrë.


(26.01.2009 RV)Sipas një komunikate shtypi, që u bë e njohur nga Kongregata për Ipeshkvijtë të shtunën e kaluar, Papa, pas një procesi dialogu ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Vëllazërisë meshtarake të Shën Piut X, përfaqësuar nga eprori i përgjithshëm, imzot Bernard Fele, pranoi kërkesën e kohëve të fundit bërë nga prelati, me letrën e 15 dhjetorit 2008, edhe në emër të tre ipeshkvijve të tjerë vëllazërisë, Imzot Bernard Tisje de Malerè, imzot Rikard Uiljamson e Imzot Alfons de Galareta, t’ua heqë shkishërimin e shpallur njëzet vjet më parë. Të ndjekim notën e Atë Lombardit për ngjarjen:

 
"Java e lutjes për bashkmim e të krishterëve përfundon me një lajm të bukur, që urojmë të jetë gëzim për të gjithë Kishën. Heqja e shkishërimit katër ipeshkvijve të Vëllazërisë Meshtarake Shën Piu X është një hap themelor përpara për të arritur pajtimin përfundimtar me lëvizjen e nisur dhe të udhëhequr nga Imzot Lëfevrë.
Në përpjekjen për ta kuptuar domethënien e këtij hapi, të vijnë menjëherë në mendje fjalët e Benediktit XVI nga Letra e tij e hyrjes në Moto proprion Summorum Pontificum, e 7 korrikut 2007, kur shkruante se shikimi mbi të kaluarën lidhur me përçarjet që në rrjedhë shekujsh e ndanë Korpin e Krishtit, të bën të mendosh se ka pasur shpesh mungesë vëmendjeje nga ana e Kishës, gjë që i ka thelluar ndarjet. Prandaj, shkruante Papa “e kemi për detyrë t’i bëjmë të gjitha përpjekjet, me qëllim që atyre, të cilët kanë vërtetë dëshirë për bashkim, t’u bëhet e mundur të qëndrojnë në këtë bashkim, ose ta rigjejnë përsëri… E hapim bujarisht zemrën tonë…”.
Kardinali Racinger qe protagonist i marrëdhënieve me imzot Lëfevrë në vitin 1988 e, që atëherë, pati kërkuar të bënte ç’ishte e mundur për t’i shërbyer bashkimit të Kishës. Asokohe kjo nuk mjaftoi e shugurimet ipeshkvnore të 30 qershorit të atij viti, të kryera pa mandatin e Papës, krijuan një shkëputje të rëndë. Por Komisioni Ecclesia Dei, i themeluar nga Gjon Pali II në këtë rrethanë, punoi me duresë për t’i lënë të hapura rrugët e dialogut, e disa nga bashkësitë e lidhura në mënyra të ndryshme me lëvizjen lëfevriane mundën, gjatë viteve, të rikthehen në bashkim të plotë me Kishën katolike.
Vëllazëria Meshtarake e Shën Piut X, me katër ipeshkvij, mbetej gjithsesi bashkësia më e rëndësishme, me të cilën duhej rivendosur bashkimi. Benedikti XVI u impenjua fuqimisht që të bëhej ç’është e mundur për ta arritur këtë qëllim. Kujtojmë natyrisht e sidomos Moto proprion Summorum Pontificum mbi ritin për kremtimin e Meshës, por mund të kujtojmë edhe dokumentin e Kongregatës për Doktrinën e Fesë, që sqaronte pikat e diskutueshme të doktrinës ekleziologjike të Koncilit II të Vatikanit si disa ndërhyrje të mëdha mbi ermeneutikën korrekte të vetë Koncilit, në vijim të traditës.
E gjithë kjo natyrisht krijoi një klimë të favorshme, në të cilën ipeshkvijtë e Vëllazërisë së Shën Piut X kërkuan t’u hiqej shkishërimi, duke e pohuar qartë dëshirën e tyre për të qenë në Kishën katolike romake e për të besuar ngultas në Parinë e Pjetrit. Është gjë e bukur që heqja e shkishërimit realizohet në prag të 50-vjetorit të kumtimit të Koncilit II të Vatikanit, në mënyrë që kjo ngjarje themelore të shikohet si rast bashkimi e jo tensionesh.Teksti i dekretit sqaron se duhet bërë ende një copë rrugë drejt bashkimit të plotë, për të cilin Ati i Shenjtë uron të realizohet sa më shpejt. Kujtojmë, për shembull, se statusi i Vëllazërisë dhe i meshtarëve që i përkasin, nuk përcaktohen në dekretin e publikuar. Por lutja e Kishës është në harmoni të plotë me atë të Papës, që çdo vëshirësi të kapërcehet sa më parë e të mund të flitet për bashkim në kuptimin më të plotë të fjalës e pa asnjë paqartësi".







All the contents on this site are copyrighted ©.