2009-01-26 18:35:05

Papa në Engjëllin e Tënzot: “Kthimi i Shën Palit, shembull që tregon se takimi me Krishtin e shndërron jetën e njeriut”.


(26.1.2009 RV)Takimi me Krishtin, që shënon një kthesë rrënjësore në jetën e njeriut, ishte në qendër të lutjes së Engjëllit të Tënzot të Papës, në festën e ‘Kthimit të Shën Palit”. Pas lutjes mariane, Benedikti XVI kujtoi Ditën botërore të të sëmurëve nga gërbula dhe Vitin e ri hënor, që do të kremtohet në vendet aziatike. Pastaj, takimi gazmor me të rinjtë e Veprimit katolik, ardhur në Sheshin e Shën Pjetrit me “Karvanin e paqes”.

“Përvoja e Apostullit të Popujve mund të jetë model për çdo kthim të vërtetë në fenë e krishterë”. Kështu u shpreh Papa, i cili dje pasdite kryesoi, në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve të Romës, një takim lutjeje, në përfundim të Javës kushtuar bashkimit të të krishterëve. Ishte një ngjarje e madhe ekumenike, me vlerë të posaçme në Vitin kushtuar Apostullit të Popujve.
Këtij takimi i parapriu lutja e Engjëllit të Tënzot, gjatë së cilës Ati i Shenjtë theksoi se Shën Pali na tregon rrugën në të cilën duhet të ecim, për të arritur sa më shpejt tek bashkimi:

“Natyrisht, ne të krishterët nuk e kemi arritur akoma cakun e bashkimit të plotë, por në se bëjmë vazhdimisht kthesë në takimin me Zotin Jezus, do ta arrijmë sigurisht”.

 
Nga Ungjilli i djeshëm, Papa kujtoi predikimin e parë të Jezusit në Galile: “Koha u plotësua e Mbretëria e Hyjit është ngjat!” - që na çon te kthimi i Shën Palit në rrugën e Damaskut, ku u takua me Krishtin e ngjallur, takim që ia ndryshoi rrënjësisht jetën. Sauli e kuptoi – vërejti Papa – se shëlbimi i tij nuk varej nga veprat e mira të kryera sipas Ligjit, por nga fakti se Jezusi kishte vdekur e ishte ngjallur edhe për të – persekutuesin. Edhe për secilin nga ne të kthehesh do të thotë të besosh se Jezu Krishti e dhuroi vetveten edhe për ne, duke vdekur mbi kryq e se, i ngjallur, jeton me ne e në ne:

“Duke ia besuar veten forcës së faljes së tij, duke e lënë të më marrë për dore, mund të dal nga rëra e lëvizshme e mburrjes dhe e mëkatit, e gënjeshtrës dhe e trishtimit, e egoizmit dhe e çdo sigurie të rreme, për ta njohur e për ta jetuar pasurinë e dashurisë së Tij”.

 
Pas kremtimit të Engjëllit të Tënzot, Benedikti XVI kujtoi Ditën botërore të të sëmurëve nga gërbula, që kremtohej dje, duke theksuar afërsinë e tij e të Kishës ndaj atyre që vuajnë e veçohen për shkak të kësaj sëmundjeje:

“Gëzohem që Kombet e Bashkuara, me një Deklaratë të kohëve të fundit të Komisariatit të Lartë për të Drejtat e Njeriut, i nxisin shtetet të kujdesen për të sëmurët nga gërbula e për familjarët e tyre”.

 
Pastaj Papa i uroi mbarë popujt e Azisë lindore, të cilët përgatiten për të kremtuar Vitin e ri hënor, ta kalojnë me gëzim këtë festë, sepse gëzimi – nënvizoi Ati i Shenjtë – tregon se njeriu është në harmoni me vetveten. E njeriu është në harmoni me vetveten, vetëm atëhere kur është në harmoni me vetë Zotin e me Krijimin:

“Urojtha Benedikti XVIqë gëzimi të jetë përherë i gjallë në zemrën e të gjithë qytetarëve të këtyre Kombeve, aq të dashura për mua, e të rrezatojë mbi gjithë botën”.

 
Në përfundim Ati i Shenjtë u drejtoi përshëndetjen e tij të përzemërt të rinjve e fëmijëve të Veprimit katolik e të famullive romake, që morën pjesë në ‘Karvanin e paqes”, i cili arriti në Sheshin e Shën Pjetrit, pasi pati përshkuar rrugët e qytetit, i shoqëruar nga kardinali-vikar, Agostino Valini. E sivjet mesazhin e tyre të paqes e lexoi një vajzë 11 vjeçe, Miriami e cila, pranë Benediktit XVI në dritaren e Pallatit Apostolik, ndërmjet tjerash, tha: “Erdhëm deri këtu duke përshkuar rrugët e qytetit tonë, me zemrën plot gëzim e, së bashku me ty, duam t’ua shprehim të gjithëve me zë të lartë dëshirën tonë për paqe”. E Papa ua ktheu:

“Të dashur të rinj, me ndihmën e Jezusit, ndërtojeni paqen në shtëpi, në shkollë, në sport e kudo. Ju falenderoj përsëri!”.

 
Pas përshëndetjeve në gjuhë të ndryshme, duke iu drejtuar në mënyrë të veçantë shtegtarëve të gjuhës angleze, Ati i Shenjtë rikujtoi mesazhin e tij për Ditën e komunikimeve shoqërore, duke nënvizuar se ‘përdorimi i urtë i teknologjive informatike mund të ndihmojë në formimin e bashkësive të afta për t’i dhënë një shtytje të re kërkimit të së vërtetës, të së mirës e të së bukurës’.
Takimi i djeshëm i Engjëllit të Tënzot me besimtarët u mbyll me fluturimin e dy pëllumbave të bardhë, simbol i paqes, që iu dorëzuan nga vogëlushët Marku e Valeri Papës, i cili pastaj i lëshoi; e ata morën fluturimin në qiellin që dje, pas shumë shirash, ishte i kaltër e të kujtonte afrimin e pranverës.







All the contents on this site are copyrighted ©.