Bioetika dhe kriza ekonomike botërore, ndër temat e audiencës së Papës për ambasadorin
e ri francez pranë Selisë së Shenjtë
(26.01.2009 RV)Udhëtimi apostolik në Francë, debati mbi bioetikën dhe mbi krizën
aktuale financiare ishin disa nga temat në qendër të audiencës, që Papa Benedikti
XVI i rezervoi sot ambasadorit të ri francez pranë Selisë së Shenjtë, Lefevrë dë Labulav. Papa
shprehu kënaqësi mbi punën e kryer nga komisioni parlamentar për çështjet që kanë
të bëjnë me përfundimin e jetës. Sipas Benediktit XVI, janë arritur përfundime të
urta, të cilat lejojnë shumëfishimin e përpjekjeve për t’i shoqëruar të sëmurët në
vuajtjet e tyre. E njëjta urti, uron Ati i Shenjtë, duhet treguar edhe në rishikimin
e ligjit mbi bioetikën, i cili duhet të njohë karakterin e padhunueshëm të jetës.
Duke iu referuar marrëdhënieve ndërmjet Vatikanit e Francës, Papa Racinger përmendi
edhe njohjen e diplomave të Universiteteve Papnore e të Instituteve katolike nga ana
e shtetit francez, uroi që masat e marra nga qeveria e Parisit për të kapërcyer krizën
botërore financiare të favorizojnë mbrojtjen e qytetarëve më të varfër dhe nxiti një
rol më të madh të Francës në gjirin e bashkësisë ndërkombëtare për zgjidhjen e konflikteve
e arritjen e paqes në botë.