2009-01-25 13:13:05

“Të krishterët së bashku për të shpresuar” – reflektim i Atë Federiko Lombardit


(25.01.2009 RV)RealAudioMP3 Javës së Lutjes për bashkimin e të krishterëve ia kushtoi reflektimin e fundjavës edhe drejtori ynë i përgjithshëm, Atë Federiko Lombardi. Titullohet: “Të krishterët së bashku për të shpresuar”.
“Shpallja e krishterë e shpresës në një botë të ndarë”, është tema e ditës së fundit të Javës së sivjetme të lutjes për bashkimin e të krishterëve. E shpreh me shumë forcë shërbimin e çmuar që të krishterët, së bashku, mund e duhet t’i bëjnë njerëzimit: me forcën e shpresës së tyre, t’i prijnë familjes njerëzore drejt unitetit e paqes. Sepse shpresë e bashkim janë terma të pandashme. Nga njëra anë përçarja e urrejtja e vrasin shpresën; nga ana tjetër, shpresa e madhe, e vërtetë, është gjithnjë pronë e të gjithëve e nënkupton gjithnjë bashkimin.
Në ditët që jetojmë, dëgjojmë të flitet shpesh për shpresa njerëzore. Presidenca e re e SHBA, për shembull, ngjalli shumë shpresa të reja, e kjo nuk është aspak gjë e keqe për një botë tejet të trazuar. Por ka edhe ditë kur lufta në Lindjen e Mesme na bën të shikojmë me sytë tanë frytet e tmerrshme të urrejtjes që përçan.
Duhet gjetur kuptimi i fuqishëm e i patundshëm i shpresës, në mënyrë që shpresat njerëzore të jenë këmbë shkalle, që të çojnë tek ajo, e jo burime ëndrrash e zhgënjimesh të vazhdueshme. Duhet gjetur forca për t’u pajtuar e për të falur, pa të cilën lufta nuk do të ketë kurrë fund.Për këto gjëra ka nevojë bota, e këto gjëra të krishterët mund t’i gjejnë, e të gjithë të krishterët së bashku, mund e duhet t’i dëshmojnë, sepse njohin një burim shumë më të thellë, sesa ndarjet e tyre: Jezu Krishtin e Ungjillin e tij".







All the contents on this site are copyrighted ©.