2009-01-25 13:14:36

Shenjtorët e Javës së ardhshme sipas Kalendarit kishtar


(25.01.2009 RV)Sot Kisha katolike kremtoi të dielën e tretë të kohës së zakonshme liturgjike gjatë vitit kishtar dhe ditën e tetë të Javës së lutjes për bashkimin e të krishterëve me temë: “Shpallja e shpresës së krishterë në një botë të përçarë”. U përkujtua Kthimi i Shën Palit dhe Shën Anania, që e pagëzoi Apostullin e Popujve.

 
Shenjtorët Timoteu e Titi, dishepuj të Shën Palit dhe Shën Paola, matronë romake, që do të përkujtohen të hënën, na ftojnë t’i këndojmë në shekuj besnikërisë së Zotit, me bindjen se Ai, që e çliron njeriun nga djalli, është shumë më i fortë se çdo e keqe e se çdo frikë njerëzore.

Të martën do të kremtohen Shën Angjela Meriçi, themeluese e Orsolineve dhe Shën Vitaliani, Papë. Përmes reflektimit mbi liturgjinë e festës së tyre, kuptojmë se kur Krishti tha ‘Ja, po vi o Zot, për të bërë vullnetin tënd’, nuk e mohoi nënën e vet, Marinë, as farefisin, që e pranoi duke u mishëruar. Deshi vetëm të na mësojë se vullndeti i Zotit është mbi gjithçka.

Besimi në Hyjin është gjithnjë farë e mirë; por për fat të keq, njeriu nuk është gjithnjë tokë e mirë, ku fara mbin e rritet e jep fryt. Këtë na kujton, të mërkurën, festa liturgjike e Shën Tomës së Akvinit, meshtar domenikan, doktor i Kishës, pajtor i shkollave katolike.

 Të vërtetat që na mëson Jezusi i davarisin gjithnjë më shumë terrinat tona, ashtu si llampa e ndezur: masa e dritës që na ndriçon, varet nga dora jonë, nga dëshira për ta lartuar ose për ta ulur flakën e kandilit, në sa kërkojmë fytyrën e Perëndisë. Është meditimi i së enjtes, kur Kisha përkujton Shën Kostancin, ipeshkëv i Perugjës dhe Shenjtorët Papia e Mauri, ushtarë martirë.

Të premten, duke përkujtuar Shën Martinën, martire e Shën Gjaçintën Mareskoti, virgjër romake, liturgjia na fton të kemi besim të plotë në planin e Zotit për mbretërinë e tij, ashtu si fshatari ka besim në frytin e farës së mbjellur, me bindjen se Zoti na shpëton nga çdo rrezik, kur besojmë në të me gjithë zemër.

Jezusi tregon një pushtet aq të fuqishëm mbi forcat e natyrës, sa t’i nxisë dishepujt t’i bëjnë vetes pyetjen: “Kush është ky?”. Përgjigen e gjejmë në fe, që na i hapë sytë për të kuptuar kush është në të vërtetë Jezu Krishti e për të lumnuar Zotin, që e mbajti premtimin. E gjejmë edhe në jetën e shenjtorëve, si Shën Gjon Bosko, meshtar, themelues i Salezianëve, atë e mësues i të rinjve dhe Shën Marçela romake, dishepulle e Shën Jeronimit, që do të përkujtohen të shtunën.

E diela e ardhshme është e katërta e kohës së zakonshme liturgjike gjatë vitit kishtar.







All the contents on this site are copyrighted ©.