2009-01-25 13:10:41

SHBA: presidenti Obama rikthen fondet për organizatat abortiste. Pakënaqësi në botën katolike.


(25.01.2009 RV)RealAudioMP3 Shkakton një reagim të fortë në botën katolike amerikane, vendimi i presidentit të ri, Barak Obama për të rikthyer normat mbi financimin publik të organizatave abortiste. E kjo edhe sepse ndihma e administratës amerikane në favor të familjes ishte një nga pikat kryesore të programit elektoral të Obamës.
Prandaj vendimi për të mbështetur abortin nuk mund të mos shkaktojë shumë diskutime. Bindjes së presidentit të ri, sipas së cilës grave u duhet garantuar e drejta për të vendosur mbi jetën e fëmijëve të tyre ende të palindur, ipeshkvijtë amerikanë i përgjigjen duke ripohuar me forcë mbrojtjen e jetës njerëzore nga zënia, deri në perëndimin e natyrshëm e duke uruar që gratë të mos arrijnë kurrë deri në atë pikë, sa bëhen vrasëse të foshnjeve të tyre.
Kujtojmë se në një letër, nënshkruar nga kardinali Frensis Xhorxh, kryeipeshkëv i Çikagos dhe kryetar i episkopatit, ipeshkvijtë amerikanë e siguruan presidentin e ri, Barak Obama si dhe Kongresin e ri, për kontributin e tyre në këtë fazë ndryshimesh të thella, që po jetojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Prelatët vunë theksin mbi të gjitha sfidat, që duhet të përballojë presidenti i ri. Pohuan se Kisha është gati të japë ndihmesën e vet, krah për krah me shtetin, për mbrojtjen e jetës së njerëzve më të ligshtë e për paqen në botë. Folën për masa të forta e të matura që ndihmojnë veçanërisht familjet e varfëra të punëtorëve në kushtet e krizës ekonomike dhe për më shumë përgjegjësi në përballimin e shpërdorimeve të sistemit, shkaktare të krizës financiare.
Në frontin ndërkombëtar, prelatët kërkuan një Irak të lirë nga persekutimet fetare dhe fundin e konfliktit në Tokën Shenjte.
Në Dokument urohej, gjithashtu, që administrata e Uashingtonit të impenjohet më shumë në luftën kundër SIDËS, duke iu kundërvënë sëmundjes së tmerrshme me mjete të përshtatshme e moralisht të pranueshme.
Pjesa kryesore e letrës drejtuar Obamës i kushtohej familjes dhe mbrojtjes së jetës. Ndërsa pak ditë pas 20 janarit, në Uashington nisin marshimet në mbrojtje të jetës.







All the contents on this site are copyrighted ©.