Mision i nuncit apostolik, imzot Frankos, në Gazë, për të çuar solidaritetin e Papës.
(25.01.2009 RV)Në Gazë situata
vijon të jetë tejet e vështirë. Duhen qindra mijëra dollarë për t’u bërë ballë nevojave
të palestinezëve në vend. Këtë e pohoi koordinatori humanitar i OKB-së, Holmes, që
theksoi se shkatërrimet janë të papërfytyrueshme. Edhe agjensia e OKB-së për refugjatët
palestinezë, konfirmoi se sulmi izraelit, më shumë se bazat e terroristëve, ka shkatërruar
infrastrukturat dhe bazat industriale. Kështu situata në Rripin e Gazës është vërtetë
e tmerrshme. Pikërisht në këtë situatë, në sa Bashkimi Evropian dhe Egjipti punojnë
për të zgjidhur përfundimisht krizën, Imzot Antonio Franko, përfaqësues diplomatik
i Selisë së Shenjtë në Izrael e delegat apostolik në Jeruzalem, shkoi në Gazë për
t’u dorëzuar personalisht banorëve ndihmën e Benediktit XVI. Vizitova qendrën e qytetit,
ku pashë shumë shkatërrime – deklaroi prelati – po dëmet më të mëdha i vërejta në
zonën periferike. U përcolla banorëve afërsinë, lutjen e solidaritetin e Papës, edhe
përmes ndihmës së tij personale për lehtësimin e vuajtjeve që po pësojnë këto ditë.
Solidariteti është themelor në këtë çast, sepse krijon frymën e paqes e të pajtimit,
të domosdoshme për t’i dhënë fund një herë e mirë martirizimit të popullisë së kësaj
zone. Vijon, pra, puna për të zevendësuar krismën e armëve me fjalën e pajtimit,
të paqes e të solidaritetit. Fundi i operacioneve ushtarake i lë tani vendin ndihmës
humanitare që i duhet dhënë popullsisë civile, të vënë në provë të rëndë. Megjithë
përpjekjet e gjithanshme, siç na shpjegon atë David Jager i Rojtarisë françeskane
të Tokës Shenjte, duhet bërë shumë më tepër.