2009-01-23 18:22:06

Papa, Patrikut të ri të Antiokisë së Sirëve: Kisha ta kumtojë Krishtin me fjalët e Lindjes e të Perëndimit.


(23.01.2009 RV)RealAudioMP3 Kisha ta kumtojë Krishtin me fjalët e Lindjes e të Perëndimit, duke mbjellë paqe e shpresë. Këtë pohoi Ati i Shenjtë, duke pritur sot paradite Patrikun e ri të Antiokisë së Sirëve, Injac Jusifi II Junan.
Je vous accueille avec joie ..."
Papa e priti me gëzim Patrikun e ri të Antiokisë së Sirëve, duke uruar që anëtarët e kësaj bashkësie kishtare të hedhin farën e paqes në Tokën Shenjte, në Irak e në Liban, ku Kisha siriane ka një prani historike shumë të vlerësuar. Patriku i ri ka lindur në Siri 64 vjet më parë, por për shumë vjet e ka kryer misionin e tij në SHBA e në Kanada, pranë bashkësisë së diasporës, që përbëhet nga një shumicë të krishterësh, të larguar nga Lindja e Mesme, në kërkim të kushteve më të mira të jetesës.
"Mon désir est qu’en Orient ..."
Dëshira ime – tha Papa – është që bashkësitë e krishtera të vijojnë të jetojnë e ta dëshmojnë fenë e tyre në Lindje, prej nga erdhi kumtimi i Ungjillit, ashtu si kanë bërë në rrjedhë shekujsh, duke përballuar vështirësi po kaq të mëdha, si këto që po kalojnë sot. Por Benedikti XVI uroi edhe që të gjithë të larguarit të ndiqen me kujdes baritor, në mënyrë që të mbeten të lidhur ngushtë me rrënjët e tyre fetare. Ati i Shenjtë iu lut Zotit t’i ndihmojë të gjitha bashkësitë e Lindjes që, kudo ndodhen, të integrohen në mjedisin e ri shoqëror e kishtar, pa e humbur identitetin e tyre. Benedikti XVI uroi ta mbartin me vete gjurmën e përshpirtërisë lindore, në mënyrë që Kisha t’ia kumtojë bindshëm Krishtin njeriut të kohëve tona, duke përdorur fjalët e Lindjes e të Perëndimit. Kështu – përfundoi Ati i Shenjtë – të krishterët do të mund t’i përballojnë sfidat më urgjente të njerëzimit, të ndërtojnë paqen e solidaritetin universal e të dëshmojnë shpresën e madhe, si farëhedhës të palodhshëm të saj, në trojet e botës e në zemrat e njerëzve.







All the contents on this site are copyrighted ©.