2009-01-22 14:35:46

Obama bëri hapin e parë, tani e ka radhën Islami.


(22.01.2009 RV)RealAudioMP3 Presidenti i ri amerikan, Barak Obama e ka bërë hapin e parë, tani i takon Islamit të bëjë tjetrin. Ky mendim është shprehur nga Antuan Basbus, themelues dhe drejtor i Observatorit për Vendet arabe, institut i njohur parisian për çështjet arabe dhe islamike.
Sipas tij, kur foli për “dorë të shtrirë” e për “respekt të ndërsjelltë” ndaj myslimanëve, Obama deshi të përvijonte ndarjen e qartë nga politika e Xhorxh Bushit, që krijoi burgun e Guantanamos e luftën frontale kundër terrorizmit islamik. Edhe fakti që e ka mbajtur H-në e Hyseinit, emri i të atit e emri i tij i dytë, duke theksuar se një pjesë të fëmijërisë e ka kaluar në Indonezi, tregon se ka ndërmend të sillet ndryshe me Islamin. Megjithatë, nuk e la pa kritika. Foli për korruspion, për shtete që nuk respektojnë ligjin, por shpalli edhe një politikë të re, që ka ndërmend të kërkojë interesat e përbashkëta me myslimanët, vetëm në respektimin e ndërsjelltë. Tani, thekson Antuan Basbus në një intervistë për agjensinë italiane të lajmeve, ANSA, integralistët islamikë duhet të ndryshojnë kurs.
E takimet me Islamin nuk mungojnë. Mjafton të kujtojmë krizën izraelito-palestineze, Irakun, Iranin, Afganistanin… etj.. Për momentin, Obama është simpatik për myslimanët – vëren Basbus – për shkak të ngjyrës së lëkurës, për origjinën e tij afrikane, për faktin se është bir i një myslimani. Por, kjo nuk do të thotë se do të jetë kështu edhe pas një viti. Myslimanët kanë nevojë ta ndryshojnë imazhin e Amerikës e ta konsiderojnë atë të ndryshme nga ajo e Bushit. Islami duhet të luajë pjesën e tij në këtë çështje, përfundon drejtori i Observatorit për Vendet arabe, por nuk mjaftojnë qëllimet e mira, duhen veprime konkrete nga të dyja palët. Amerika duhet të zbatojë në praktikë politikën e re të Obamës, por bota islamike duhet ta ndjekë.







All the contents on this site are copyrighted ©.