2009-01-22 16:14:27

Ipeshkvijtë irakianë nisën sot vizitën e tyre 'ad Limina' në Vatikan.


(22.01.2009 RV)RealAudioMP3 Disa nga prelatët irakianë që sot nisën vizitën e tyre ad limina në Vatikan u pritën paradite në audiencë nga Ati i Shenjtë Benedikti XVI.
Ata i sollën Mbasardhësit të Pjetrit shpresat dhe vuajtjet e një bashkësie të vogël e të vënë në sprovë të rëndë nga pasojat e luftës. Para vitit 2003, kur anglo-amerikanët ndërhynë ushtarakisht në Irak, në vend kishte 800 mijë të krishterë në një popull me 27 milionë banorë, ku 95 përqind e tyre janë myslimanë. Emigracioni, për shkak të kushteve të këqia të jetesës dhe të dhunës, vrasjet, pengmarrjet, kërcënimet dhe sulmet kundër kishave, e kanë përgjysmuar numrin e të krishterëve në vend.

Historia e të krishterëve në Irak është një tragjedi brenda tragjedisë. Përveç atentateve dhe dhunës që godasin çdo ditë krejt popullatën është edhe problemi i kësaj bashkësie të vogël që po dëbohet me dhunë dhe me kërcënime, nëmose edhe me vrasje, nga shtëpitë e veta dhe shtrëngohet të shkojë në Siri ose në Jordani, ku mban frymën gjallë vetëm falë ndihmave të organizatave humanitare. Shpresa e tyre është se një ditë do të arrijnë të shkojnë në SHBA, në Australi apo në Evropë ku do të nisin një jetë të re. Të krishterët irakianë kanë frikë se bota do t’i harrojë. Pikërisht këtë vuri në dukje në mikrofonin tonë Imzot Luis Sako, kryeipeshkëv kaldè i Kirkukut:

Përgjigje: Fatkeqësisht e ndjejmë veten pak si të izoluar, të harruar. Të krishterët që e kanë braktisur vendin dhe të tjerët që kanë mbetur, janë në pritje, por pa shumë shpresë tek e ardhmja. Jetojnë të shqetësuar për fëmijët e tyre, për të ardhmen e tyre, për shtëpitë e tyre, për punën e tyre. Besoj se i përket edhe Perëndimit, Kishave që të na ndihmojnë. Ne jemi një Kishë e vogël. Jemi aty tash dymijë vjet dhe kemi pasur probleme edhe më të vështira se këto. Pra, tani nuk mund të largohemi e të braktisim Irakun. Gjysma e të krishterëve është larguar nga vendi dhe tashti, mbase duhen ndihmuar që të kthehen në Irak.

Pyetje: Barak Obama është një shpresë më shumë për ju?

Përgjigje: Nuk dihet. Politika nuk varet nga një njeri. Po vendosi të tërheqë ushtarët, atëherë për ne hapen telashe. Ndoshta mund të ketë luftë civile. Nuk kemi ushtarë dhe policë të mjaftueshëm për të kontrolluar një vend 25 milionësh.
Kisha irakiane ka edhe plagë të tjera. Përmendim meshtarët martirë të vrarë nga fanatizmi dhe nga mizoria e grupeve fondamentaliste në vend. Ndër të tjerë kujtojmë Imzot Paulos Raho, kryeipeshkëv kaldè i Mosulit, marrë peng me 29 shkurt 2008 dhe gjetur i vdekur me 12 mars. “Një akt dhune çnjerëzore që fyen dinjitetin e qenies njerëzore”. Kështu u pat shprehur atëherë Ati i Shenjtë Benedikti XVI.

Ndërsa dje ipeshkvijtë irakianë morën pjesë në premierën e filmit dokumentar “Iraku- SOS- refugjatët” të regjisores Elizabeta Valxhusti, shfaqur në ambientet e Radio Vatikanit. Pas filmit, në debatin e zhvilluar, Imzot Matoka, kryeipeshkëv i Bagdadit iu drejtua bashkësisë ndërkombëtare me fjalët: “Merreni naftën tonë por na lini vendin tonë”. Gjithashtu ipeshkvijtë irakianë shprehën edhe dëshirën që Papa Racinger të thërrasë së shpejti një Sinod për Lindjen e Mesme ku të shqyrtohet braktisja e kësaj zone nga të krishterët që gjenden vazhdimisht nën kërcënimin e ekstremistëve islamikë.







All the contents on this site are copyrighted ©.