2009-01-22 14:35:14

Gazeta e Vatikanit për Obamën: nuk krijon iluzione, por besim tek politika


(22.01.2009 RV)Gazeta e Vatikanit “L’Osservatore Romano” komenton fjalimin e mbajtur nga presidenti i ri amerikan, Barak Obama në ceremoninë e marrjes së detyrës. “Nuk la vend për optimizëm të lehtë” e nuk ofroi “iluzione”, shkruan e përditshmja e Selisë së Shenjtë. Në ditën, në të cilën në Uashington zhvillohet Marrshimi për Jetën kundër abortit, temë që mund të shkaktojë probleme në marrëdhëniet e Obamës me Kishën Katolike, gazeta eviton argumentin, për t’i lënë hapësirë thirrjes për “shpresë në vend të frikës”, që presidenti i parë afro-amerikan i SHBA-ve u drejtoi bashkëqytetarëve të tij nga Capitol Hill. “Deri tani – vë në dukje “L’Osservatore Romano” - merita e madhe e presidenti Obama është se u ridha njerëzve besimin tek politika, u dha shpresën se ajo mund të jetë me të vërtetë rrugë për të shërbyer të mirën e përbashkët, në favor të të gjithëve e të secilit, si person i vetëm e si bashkësi. Duke i dëgjuar nga goja e tij, njerëzit presin që shprehje si “të japim llogari për paratë e shtetit, të shpenzojmë me mençuri apo të ndryshojmë mënyrën e jetesës” të kenë një domethënie të vërtetë e autentike. Aspiratat janë të mëdha”, përfundon gazeta e Vatikanit.







All the contents on this site are copyrighted ©.